Google ADS

Gjetaj pret që të hulumtohet për të zhdukurit në disa lokacione në veri dhe Serbi

09:28 | 8 Gusht 2017
Arbresh.info

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, ka thënë se pritet që të hulumtohet për të zhdukurit në disa vende në veri të Kosovës dhe në Serbi.

Ai ka folur të martën në programin e mëngjesit në RTK. “Ka lokacione që presim për t’u realizuar në veri të Mitrovicës, në varrezat myslimane, pastaj presim në Serbi në Rudnicë dhe Novi Pazar”, ka thënë ai.

“Bashkëpunimin me serbë e bëjmë, me ndërmjetësim të ndërkombëtarëve, por ndodhë që ata nuk kanë dhënë ndonjë shenjë për të punuar”.

Gjetaj është ndalur edhe tek rasti i fundit në Gllarevë të Klinës. “Ka ndodhur rastësisht, një vendas aty duke hapur një kanal për ujësjellës, që ka hasur në eshtra. Dje është bërë zhvarrimi, identiteti nuk dihet. Dyshohet që i përket luftës së fundit. Nuk ka të bëhet me një varrezë që mund të kërkohet më shumë”, ka thënë ai.

Ai është shprehur se për fat të keq në Kosovë ende nuk ka ekspertë të pavarur dhe çdo gjë është akoma në varësi të ekspertëve të EULEX.

Sipas tij ka vështirësi në punë, pasiqë ekziston mundësia e përzirjes së eshtrave, ngase aty bëhet fjalë për groposje dhe jo për varrime, ku nuk ka pasur analizë për secilin asht.

Ai ka kujtuar që rreth 300 mbetje janë në morg të paidentifikuara dhe që mbetet që të punohet në këtë drejtim.

1658 persona konsiderohen të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë më 1998-99.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme