Gjermania i ka bërë thirrje të martën Francës dhe Holandës që të lejojnë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë me qëllim për të ndihmuar në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, pasi diplomatët e BE-së dështuan të pajtohen për kushtet e bisedimeve.
Parisi dhe Haga janë deklaruar kundër përpjekjeve të gjera të BE-së për të hapur negociatat, me Francën që thotë se blloku ka nevojë të reformojë institucionet e veta para pranimit të anëtarëve të rinj, raporton Reuters.
Por shtetet tjera, të kryesuara nga Berlini, kanë bërë përpjekje të mëdha për të sjellë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në gjirin e BE-së për të forcuar ndikimin e bllokut në rajon përballë një Rusie kategorike.
“Qeveria gjermane është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në rrugën e tyre përpara drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë ministri gjerman i BE-së, Michael Roth, pas arritjes në takimin me homologët e tij në Luksemburg.
“Jemi të gatshëm të japim dritën e gjelbër. Do të nxisja miqtë tanë në Holandë dhe Francë të na bashkohen”, tha ai para gazetarëve, duke thënë se stabiliteti është më i rëndësishmi për Ballkanin.
Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia shpresojnë të anëtarësohen në BE.
Derisa bisedimet për anëtarësim me Serbinë dhe Malin e Zi janë duke u zhvilluar, Shqipëria, e cila është veçse pjesë e NATO-s, dhe Maqedonia, e cila ka zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, kanë shpresuar se do të marrin lejen për negociata të martën.
Por ambasadorët e BE-së që po përgatisnin takimin të hënën mbrëma dështuan të hartojnë një marrëveshje për t’u nënshkruar nga ministrat.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i mbështetur nga Holanda, ka thënë se blloku duhet të vetë-reformohet para se të pranojë anëtarë të rinj, ndonëse diplomatët e BE-së thonë se Parisi është i brengosur kryesisht për nxitjen e ndjenjës anti-migrim në shtëpi.
Shumë shtete evropiane, përfshirë edhe Austrinë e cila do të kryesojë presidencën rotative të BE-së nga korriku, dëshirojnë t’i dërgojnë një sinjal Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor se rruga drejt anëtarësimit në BE është ende e hapur.
“Ka pasur shumë progres. Kjo vetëm thekson qëndrimin tonë se Ballkani Perëndimor duhet të ketë një perspektivë të qartë të anëtarësimit”, ka thënë ministri austriak i BE-së, Gernot Bluemel.
Pse këto dy shenja të horoskopit janë gjithmonë në qendër të...
Përfshihet nga zjarri një banesë në Fier
Barça deklason Bayern, Atletico bie nga Lille, Inter fiton m...
Mbretëri e Bashkuar, vdekjet nga kokaina u rritën 30%
Mbrojtja Civile e Gazës thotë se tre punëtorë të saj u plago...
“Prishet miqësia”, përplasje e fortë mes Vullnetit dhe Gresë...