Ambasada gjermane në Prishtinë tha se Kosova është dashur që ta dërgojë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese para takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Më 16 maj, ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla, tha se ka njoftuar Këshillin e Evropës se Qeveria po përgatit një draft-statut për Asociacionin, të cilin mëton që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim deri në fund të majit.
Në letër, ajo tha se me këtë Kosova ka përmbushur kërkesën e vendeve anëtare të Këshillit që kushtëzuan pranimin në këtë organizatë me themelimin e Asociacionit. Kryediplomatja kosovare tha se Kosova ka përmbushur zotimin e saj dhe kërkoi që shtetit t’i hapet rrugë për anëtarësim në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.
Komiteti i Ministrave takohet në Strasburg më 16 dhe 17 maj. Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, tha se nuk pret që Kosova të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.
Ndërkaq, Ambasada amerikane tha për REL-in se Gjermania, së bashku me shtetet e tjera të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Italinë – vazhdimisht kanë kërkuar që Kosova të bëjnë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit, në mënyrë që të arrihet mbështetja e shumicës së anëtarëve në Komitetin e Ministrave të KiE-së për pranimin e Kosovës.
Gjermania ishte në mesin e shteteve të Këshillit të Evropës që kushtëzuan pranimin e Kosovës në këtë organizatë me themelimin e Asociacionit.
“Sipas nesh, dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese para takimit të Komitetit do të ishte një hap i tillë. Siç ka thënë ambasadori [gjerman në Kosovë, Jorn] Rohde në postimin në X pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: ‘Kosova tani duhet të bëjë punën e vështirë’. Kjo nuk ka ndodhur”, tha Ambasada gjermane.
Sipas letrës që Gërvalla i ka dërguar Këshillit të Evropës, draft-statuti që po përgatit Kosova është frymëzuar nga ai i paraqitur në fillim të vitit të kaluar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung.
Deri më tani, për themelimin e Asociacionit janë prezantuar disa draft-statute.
Në fund të janarit të vitit 2023, FES-i publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, ashtu siç insiston edhe Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.
Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.
Po vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që parasheh edhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.
Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.
Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.
Megjithatë, Kosova deri më tani nuk kishte ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.
Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.
”Ti je ma rrugaçe se unë”, Përplasen sërish Driloni e Xhenet...
Aksident mes tri automjeteve në Prishtinë, lëndohen dy perso...
Masar Omeragiq presidenti i ri i Federatës së Futbollit në M...
Mbyllet për një vit, Rama: TikTok nuk ka çfarë sqarimesh kër...
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...