Google ADS

Gjermania e Franca vështirë se do ta bindin Kosovën e Serbinë t’i rikthehen dialogut

13:01 | 11 Qershor 2019
Arbresh.info

Samiti i Parisit, i cili është parë si një mundësi për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, po del të jetë një përpjekje e vështirë.

Më 1 korrik do të mbahet Samiti i Parisit mirëpo, dy fuqitë më të mëdha evropiane, Gjermania dhe Franca vështirë se do ta bindin Kosovën e Serbinë që të rikthehen në tryezën e bisedimeve.

Njohësit e çështjeve politike thonë se është e vështirë që në këtë samit Kosova dhe Serbia t’i zbusin qëndrimet e tyre për sa i përket vazhdimit të dialogut.

Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për lajmi.net, se ende nuk dihet nëse në këtë takim, temë diskutimi do të jetë vazhdimi i dialogut por që sipas saj, është Serbia ajo që po heziton të diskutojë për vazhdimin e dialogut me Kosovën.

“Samiti është në vazhdën e iniciativave të Gjermanisë e Francës për me rikthyer Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut. Pra është edhe një tentim për me rifillua dialogun. Por a do të jetë temë diskutimi dialogu në Samitin e Parisit, kjo mbetet të shihet për shkak se nga ana e Serbisë kanë deklaruar se përderisa taksa vazhdon të jetë në fuqi ata po hezitojnë që të vazhdohet për temën e dialogut. Ata bile kanë thënë se do të flasin për motin, sportin në rast se taksa vazhdon të mbetet në fuqi. Prandaj duhet të presim dhe të shohim nëse Franca dhe Gjermania do të arrijnë që në këtë Samit ta bëjnë temë çështjen e dialogut, kjo për shkak të refuzimit të Serbisë”, ka deklaruar Haxholli.

Sipas saj, nëse veç arrihet që të diskutohet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, dy fuqitë e mëdha evropiane, Gjermania dhe Franca, do të bëjnë përpjekje që dialogu të vazhdojë pa kushte mirëpo, siç tha ajo, Franca e Gjermania mund t’ua sugjerojnë një gjë të tillë të dyja palëve, por nuk mund t’i obligojnë.

“Franca dhe Gjermania me siguri se do të përpiqen që t’i bindin palët që të kthehen pa kushte në tavolinën e dialogut, por pastaj mbetet në diskrecionin e Kosovës dhe të Serbisë në hapat që ato vendosin të ndërmarrin. Pra nuk mund t’i detyrojnë, Franca e Gjermania mund t’i sugjerojnë dhe të kërkojnë nga palët që të kthehen në dialog pa kushte, por pastaj, Kosova dhe Serbia janë ato që vendosin se çfarë do të bëjnë më tutje”, është shprehur Haxholli.

Në anën tjetër, profesori universitar, Arben Fetoshi, ka thënë se Samiti i Parisit mund sjellë një zgjidhje për zhbllokimin e procesit, por jo edhe arritjen e marrëveshjes finale.

“Mendoj që Parisi do të sjellë një zgjidhje për zhbllokimin e procesit, ndonëse vështirë të shpresohet për arritjen e marrëveshjes finale. Zhbllokimi besoj se është i mundshëm tashmë, për shkak të efekteve politike të tarifës që reflekton niveli i lartë i angazhimit me kancelaren Merkel dhe presidentin Macron”, ka deklaruar Fetoshi për lajmi.net.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia mund të gjejnë një zgjidhje për zhbllokimin e dialogut dhe ajo është që Qeveria të marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të taksës.

“Duke qenë se palët janë barrikaduar me tarifën nga Prishtina dhe heqjen e saj si kusht nga Beogradi, zgjidhja mund të jetë një strategji e balancuar dalëse që e pezullon tarifën, pra jo e heq, me ‘shpërblimin’ e vizave dhe e ruan krenarinë e Serbisë në raport me kthimin në proces”, u shpreh Fetoshi.

Ai po ashtu ka thënë se pa përfshirjen e SHBA-ve në këtë proces, Kosova e Serbia, vështirë se do të arrijnë marrëveshjen përfundimtare.

“Përndryshe, rezultatet e samitit të Parisit mund të jenë përafruese dhe sqaruese sa i përket qëndrimeve apo idesë së korrigjimit, por finalja më duket e pamundshme pa një përfshirje direkte të SHBA-ve, apo edhe me rolin amerikan si nikoqir të marrëveshjes ligjërisht obligative”, deklaroi Fetoshi për lajmi.net.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është e përgatitur për Samitin e Parisit, por sipas tij, Kosova do ta vazhdojë dialogun me Serbinë vetëm nëse arrihet një marrëveshje kornizë, marrëveshje kjo që do të nënkuptonte njohje reciproke dhe në të cilën do të dihej se çfarë do të diskutohej në dialog.

“Është shumë me rëndësi që të kemi një pozicion krijues si Kosovë. Ne veç kem punuar si Kosovë në pozicionin në tema. Qeveria e vendit, delegacioni i vendit, institucionet. Sa na përket neve Samiti i Parisit mund të mbahet ne jemi në përgatitje, jemi duke punuar. Mendojmë se për me mujt me ec përpara një marrëveshje kornizë e asaj që duhet me u marrë vesh është e nevojshme. Jo vetëm për Paris, por edhe mund të mos ndodhë Parisi, jo për fajin e Kosovës e kam thënë edhe një herë. Por edhe në vjeshtë nëse rikthehet dialogu te përfaqësuesi i lartë i BE-së i riu pas Mogherinit, prapë duhet një kornizë marrëveshje për me e ditë se për çka do të dialogohet. Pra pa këtë marrëveshje kornizë të njohjes reciproke Kosovë-Serbi ku janë elementet nuk ka logjikë”, deklaroi sot Haradinaj pas mbledhje së Qeverisë.

Sipas Haradinajt, Kosova nuk duhet të bëj asnjë hap të gabueshëm dhe pa një marrëveshje kornizë.

“Ne duhet ta dimë çka do të bisedojmë dhe për këtë duhet një marrëveshje kornizë dhe për këtë dialog jemi të gatshëm. Nuk kemi logjik ne si Kosovë që të bëjmë ndonjë veprim të gabuar. Pra unë nuk do të marrë pjesë në asnjë ngjarje që nuk ka qartësi se për çka dhe si do të ecë procesi më tutje”, deklaroi Haradinaj.

Dialogu Kosovë-Serbi, është bllokuar nga pala serbe që nga nëntori i vitit të kaluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës prej 100 për qind për mallrat me origjinë serbe dhe boshnjake.

Që nga ajo kohë, Serbia vazhdimin e dialogut e ka kushtëzuar me heqjen e taksës, përderisa Kosova është duke insistuar në mbajtjen e kësaj takse.

Po ashtu, një përpjekje për zhbllokimin e dialogut ishte bërë edhe në Samitin e Berlinit

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme