Google ADS

Gjermania do të braktisë qymyrin si burim i prodhimit të energjisë elektrike

11:07 | 20 Janar 2020
Arbresh.info

Në Gjermani qeveria qendrore ra dakord me landet që t’i japë fund prodhimit të energjisë nga termocentralet me qymyr. Kompromisi i vështirë shoqërohet me kritika dhe paralajmërime për protesta.

Deri në mbylljen e termocentraleve me qymyr në Gjermani do të kalojë edhe ca kohë: mbyllja u ra dakord të bëhet në vitin 2038. Por mundësia për t’i mbyllur ato më herët ekziston: që në vitin 2026 do të shikohet a mund të mbyllen termocentralet që në vitin 2035.

Për këtë qeveria gjermane u mor vesh me katër landet e prekura: me Saksoninë, Saksoni-Anhaltin dhe Brandenburgun në Lindje të Gjermanisë dhe me Rinin Verior-Vestfalinë në Perëndim. Pas gjashtë orë bisedimesh me kancelaren Angela Merkel, kryeministrat e këtyre landeve miratuan një plan kohor për mbylljen.

Mbyllja do të fillojë që këtë vit. Sa më i vjetër termocentrali, aq më herët mbyllja, ky është parimi i planit. Në 31 dhjetor sivjet do të mbyllet termocentrali i parë në Rheinlad. Dhe deri në vitin 2022 do të jenë mbyllur tetë termocentrale. Rekomandimin për këtë hap e ka dhënë një komision i posaçëm që vitin e kaluar. Brenda janarit tani pritet që marrëveshja e arritur të derdhet në një projektligj. Ligji përfundimtar pritet të miratohet deri në mes të këtij viti.

Gradualisht do të mbyllen minierat e linjitit, një pjesë prej të cilave janë miniera të hapura. Dhe paralelisht do të mbyllen edhe miniera qymyrguri.

Pengesat rrezikuan miratimin e planit

Rënia dakord për braktisjen e qymyrit si burim për energjinë konsiderohet sukses, pasi rrezikohej që të mos bëhej. Kaq të mëdha qenë kundërshtitë te sipërmarrjet dhe te punonjësit.

Por për shkak të termocentraleve të qymyrit dhe automjeteve me naftë, Gjermania ka shifra problematike për sa i përket numrit të vdekjeve nga ndotja e ambientit. Ajo zë vendin e 83-të për vdekjet nga ndotja e ambientit, nga 188 vende, të analizuara nga Aleanca Globale për Shëndetin dhe Ndotjen. Britania e Madhe p.sh. zë vendin e 98-të, SHBA zënë vendin e 132-të.

Gjermania zë ndër vendet e para në botë për nxjerrjen e linjitit. Dhe mbajtja e termocentraleve me qymyr mendohet se e rëndon çdo ditë ambientin. Mbi të gjitha: nxjerrja e linjitit nuk do t’ia vlente më ekonomikisht në Gjermani pas vitit 2038, pasi do të bëhej shumë e shtrenjtë. Njëkohësisht: disa nga termocentralet janë në gjendje jo të mirë, që sot. Ndaj vëzhgues thonë se pronarët e tyre tani mund t’i mbyllin ato të gëzuar dhe të marrin edhe para nga shteti.

Që nuk qe i lehtë kompromisi, kjo është e kuptueshme. 20.000 të punësuar do të preken nga mbyllja e minierave. Dhe mbyllja e minierave ka gjithmonë edhe komponentë emocionalë, përveç atyre financiarë.

Shteti ofron kompensime të mëdha

Shumë njerëz kujtojnë edhe sot mbylljen minierave në zonën e Ruhrit. Në këtë zonë, që konsiderohet si motori i mrekullisë ekonomike të Gjermanisë së pasluftës, miniera e fundit e qymyrgurit u mbyll vetëm para një viti.

Për sa i përket aspektit financiar: të punësuarit në zonat e qymyrgurit dhe minatorët do të marrin kompensime nga shteti edhe pesë vjet pas mbylljes së minierave, deri në vitin 2043. Ndërsa rajonet qymyrnxjerrëse do të marrin nga federata shuma të mëdha parash: 40 miliardë euro. Këto shuma do të përdoren për të përshtatur gradualisht ekonominë e zonave të prekura, për periudhën pas mbylljes.

Kritika ambientaliste për kompromisin e vështirë

Protestat për mbrojtjen e klimës kanë qenë më të vërtetë të fuqishme në 2019-ën në Gjermani. Veçanërisht lëvizja “Fridays for Future” tërhoqi shumë vëmendjen, disa thonë duke e tepruar dhe duke spostuar nga vëmendja problemet e tjera. Ky fakt pasqyrohet edhe në vendimin e jurisë së posaçme, e cila zgjedh fjalët më karakterizuese të një viti në Gjermani. Fjala më karakterizuese e vitit për 2019-en ishte “histeria e klimës”.

Protestat për klimën besohet se luajtën një rol indirekt, në ndërgjegjësimin publik, për ta shtyrë përpara miratimin e planit kohor për mbylljen e minierave. Por vendimi ka lënë jo pak të pakënaqur.

Aktivistët e “Fridays for Future” me ta mësuar vendimin deklaruan se do të ndërmarrin aksione të mëdha proteste kundër tij. Një nga arsyet për to është që për mendimin e aktivistëve vendimi do të zbatohet me shumë vonesë.

Por këtu disa aktivistë harrojnë faktin që Gjermania është një nga shtetet më të industrializuara të botës, me uri të madhe për burime energjetike. Tashmë Gjermania ka braktisur energjinë atomike. Edhe pa mbylljen përfundimtare të centraleve atomike, çmimi i energjisë në Gjermani për kilovat/orë është më i lartë se në vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Po të braktiset menjëherë edhe qymyri, energjia do të shtrenjtohet edhe më, pasi burimet e ripërtërishme ende nuk e kompensojnë dot boshllëkun.

Një arsye tjetër për protestat e shpallura të aktivistëve është leja për të vënë në funksionim një termocentral të ri me qymyrguri. Vendimi për vënien në punë të termocentralit Datteln 4 qe bllokuar deri tani. Por qeveria qendrore dhe landet llogaritën që po të mos vihej në funksionim sistemi, kompensimi për pronarin do të ishte shumë i lartë. Kjo tani ka shkaktuar revoltë.

Populistët e AfD-së: i latë vetëm minatorët

Partitë politike në Gjermani, CDU/CSU, SPD dhe të Gjelbrit e mbështesin kompromisin e arritur. Përjashtim bën partia populiste Alternativa për Gjermaninë. Sipas modelit të populistëve në vende të tjera, kjo parti edhe në këtë rast kritikon se qeveria po i lë në baltë minatorët. Por faktet flasin një gjuhë tjetër. Jo vetëm dhjetëra miliarda eurot kompensim tregojnë përkujdesje të shtetit për të prekurit. Ankesa se njerëzit në këto rajone po lihen vetëm nuk qëndron edhe prej planeve të zhvillimit. Kështu p.sh. qyteti i Cottbusit p.sh. në landin lindor të Brandenburgut do të kthehet në qendër shëndetësore. Atje do të ndërtohet edhe një klinikë universitare. /Deutsche Welle/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme