Gjenerali turk Ulutash merr detyrën e komandantit të KFOR-it

13:27 | 10 Tetor 2023
E.H

Gjeneral-major Ozkan Ulutash e ka marrë të martën detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta pas sulmit të muajit të kaluar në veri të vendit.

Kjo është hera e parë që KFOR-i do të udhëhiqet nga një komandant turk.

Ulutash e mori detyrën nga komandanti i deritanishëm italian, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, gjatë një ceremonie në Prishtinë, duke u bërë komandanti i 28-të i misionit të NATO-s në Kosovë që nga viti 1999.

Duke folur pasi e mori detyrën, Ulutash tha: “Si komandanti i parë turk i KFOR-it e kuptoj përgjegjësinë që e kam marrë. Duke e parë gjendjen e ndjeshme në Kosovë, po e marr komandën me përkushtim për t’i bërë të gjitha përpjekjet dhe për ta përdorur gjithë përvojën për t’u siguruar se kjo njësi e shquar do të shërbejë suksesshëm në të ardhmen siç ka bërë në të kaluarën”.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.

Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-kryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit. Më 3 tetor, Radoiçiqi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë.

Kush është Ulutash?

Karriera e tij ushtarake nisi pasi e përfundoi shkollën e mesme ushtarake më 1985 dhe Akademinë ushtarake në vitin 1989.

Që nga viti 2021 ka shërbyer si drejtor për strategji në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Turqisë, ndërsa më parë kishte qenë komandant i përgjithshëm i Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s në Turqi.

Më parë, Ulutash kishte mbajtur edhe pozita të tjera ushtarake, si: zëvendëskomandant i sektorit të Komandës së Përbashkët të NATO-s në Norfolk, drejtor i Qendrës për Studime Historike Ushtarake në Ankara dhe zëvendëskomandant i Garnizonit të Brigadës së 28-të të Këmbësorisë së Mekanizuar./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme