Gjenerali i FSK-së: Ushtria, plotësisht në duart e politikanëve

11:53 | 29 Shtator 2017
Arbresh.info

Shndërrimi i Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur të Kosovës është plotësisht në duart e liderëve politik në vend, dhe kjo mbetet një sfidë e radhës, për të cilën gjenerali i FSK-së, Rrahman Rama është i bindur se do të ketë një vendimmarrje strategjike nga klasa politike.

Rama këto komente i ka bërë në ceremoninë e betimit të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së që u mbajt sot në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ai shtoi se jo rastësisht FSK është institucioni më i besueshëm, pasi pjesë e saj janë djemtë dhe vajzat të këtij vendi që e bëjnë krenarë Kosovën çdo ditë. Mirëpo, Rama duke iu drejtuar kadetëve, kërkoi nga ta të mos bëjnë kompromis asnjëherë me detyrën, nderin dhe atdheun.

Vizioni i FSK-së, sipas tij, është se duhet përgatitje për t’u ballafaquar me sfidat e së ardhmes, ku edhe qëllimi i Qendrës është edukimi dhe zhvillimi i udhëheqësve të së ardhmes, dhe se Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe Qendra për Studime Universitare janë të përkushtuar në kryerjen e detyrave që këtë institucion të ndërtuar me mund dhe sakrificë të ngritët në një nivel të lartë akademik, duke bërë FSK-në lider të rajonit në shkollimin e udhëheqësve të së ardhmes.

Duke vlerësuar këtë ditë si të veçantë, Rama tha se modeli i shkollimit të oficerëve të FSK është amerikan.

Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Enver Cikaqi, tha se kjo qendër tanimë ka bërë një traditë në edukimin e oficerëve të ri, me rezultatet të cilëve krenohemi të gjithë.

Ai pati edhe një porosi për kadetët e rinj. Në fund kadetët i nënshkruan kontratat. Tashmë FSK-ja numëron 105 oficerë të promovuar nga kjo qendër, të cilat janë duke bërë një punë të shkëlqyer në njësitet e FSK-së.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme