Gjeneral Rama në konferencën e ushtrive evropiane: FSK e gatshme për misione në të mirë të paqes

20:22 | 19 Qershor 2021
S D

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, mori pjesë në Konferencën e Ushtrive Evropiane që u mbajt në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane për Evropës dhe Afrikë në Wiesbaden të Gjermanisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, konferenca tre-ditore, e mbajtur nga data 15-17 qershor, u organizua nga shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, gjenerali James C. McConville, mbështetur nga gjenerali komandues i ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneral Christopher Cavoli.

“Në këtë konferencë , përveç gjeneral Ramës, morën pjesë komandantë të lartë të forcave tokësore, oficerë dhe përfaqësues nga afërsisht 40 vende aleate evropiane dhe partnere të SHBA-së dhe Kanadasë. McConville filloi fjalët e tij të hapjes me një mesazh mirënjohje për vullnetin e dëshmuar për t’u takuar përsëri pasi ngjarja e vitit të kaluar u anulua për shkak të COVID-19. Fokusi kryesor i konferencës së këtij viti ishte modernizimi i forcave dhe përfshiu diskutime në lidhje me perspektivat rajonale mbi forcat tokësore, ndërveprimin, gatishmërinë strategjike, ndërtimin e kapaciteteve, kërcënimet aktuale dhe ato në zhvillim e sipër”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera gjeneral McConville tha se “për të gjithë ne, modernizimi është mundësia më e madhe për forcat tona për t’u bashkuar në luftën për parandalimin e kërcënimeve aktuale.”

Ndërsa, gjeneral Cavoli theksoi se ushtria e SHBA-së ka një program shumë ambicioz të modernizimit tani, sikur edhe shumë nga ushtritë aleate dhe partnere, prandaj nga pjesëmarrësit kërkoi diskutim përmbajtësor dhe të hapur për çështjet përkatëse.

Në diskutimin e tij, gjeneral Rama, njoftoi me të arriturat e deritashme të FSK-së, si dhe objektivat për të ardhmen në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, duke shprehur gatishmërinë e plotë për ofrimin e tyre në misione të përbashkëta në të mirë të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme