Gjendje e tensionuar në Drenas, ”PDK nuk do jetë si më parë”

14:56 | 2 Dhjetor 2016
M. A.

Kanë mbetur edhe dy ditë ku qytetarët e Drenasit do të zgjedhin përfaqësuesin e tyre i cili do të udhëheq Drenasin për një vit.

Nga fushata zgjedhore në Drenas vërehet se është një gjendje e tensionuar pasi që atje po lobojnë shumë zyrtarë qeveritarë të PDK-së, LDK-së, AKR-së dhe NISMA-s.

Albert Krasniqi nga KDI ka thënë se kjo gjendje tensioni në Drenas nuk do duhej të ishte sepse rëndësia e këtyre zgjedhjeve nuk është as e madhe, transmeton arbresh.info.

“Po vërehet që është një gjendje tensionimi në Drenas. Gjithë ky tension atje nuk duhet të ishte për një kryetar ku mandati i të cilit do të zgjas vetëm një vit dhe me një buxhet i cili veçse është miratuar dhe rëndësia e tyre nuk është aq e madhe sa është duke u dhënë rëndësi nga vetë partitë politike”, ka thënë ai në një prononcim për arbresh.info.

Sa i përket manipulimit me vota ai ka thënë se do të jenë të rezervuara për shkak të pranimit të shumë vëzhguesve të huaj dhe vendorë.

“Sa i përket manipulimeve që do të mund të ndodhin ditën e zgjedhjeve besoj se do të jenë të rezervuara për shkak se ka një numër të madh të vëzhguesve të huaj dhe vendor të cilët do ta vëzhgojnë zgjedhjet. Duhet pasur kujdes që të mos ketë forma të presioneve jashtë vendvotimeve e cila do të ndikoj në rezultatin e zgjedhjeve”, tha Krasniqi.

Nga ana tjetër analisti Imer Mushkolaj ka thënë se PDK në Drenas nuk do të jetë si më parë kur ka arritur fitore absolute.

“PDK nuk do të jetë më si përpara në Drenas, kur ka arritur fitore absolute. Qytetarët atje duhet të votojnë për kandidatin, e jo për partinë, nëse dëshirojnë të ketë ndryshime pozitive”, tha Mushkolaj.

Ai tha se do ishte më mirë që qytetarët të zgjedhin dikë nga kandidatët ku partia e tyre nuk ka qenë më herët në pushtet.

Për PDK-n do ishte fatale humbja në Drenas ka thënë gazetari Berat Buzhala, duke e parë si lojtar të rëndësishëm partinë e Behgjet Pacollit.

“I mundur në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, Pacolli në Drenas po na tregon që ka me qenë lojtar i rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme te përgjithshme”, ka shkruar Buzhala në Facebook.

Kujtojmë se në garë për ta drejtuar Drenasin deri në zgjedhje lokale, janë Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës, Isa Xhemajlaj nga Nisma për Kosovën, Bedri Nika nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Elmi Thaçi nga Aleanca Kosova e Re, Vehbi Berisha nga Partia Fjala, si dhe Xhavit Drenori si kandidat i pavarur. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk po marrin pjesë në këto zgjedhje./Mira Avdimetaj/ Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme