Google ADS

Gjendja shëndetësore e gruas shtatzënë e lënduar në aksidentin e mbrëmshëm, flasin nga QKUK-ja

15:29 | 23 Shkurt 2023
Emir Abduramani

Një aksident trafiku dje ka ndodhur në rrugën Shtime- Ferizaj, në të cilin kanë vdekur katër persona, dhe dy të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Njëri nga të mbijetuarit tashmë është duke u trajtuar në Klinikën Intensive në QKUK.

E lënduara është një grua shtatzënë 27-vjecare, e cila është shtatzënë në javën e 22-të.

Uka në një prononcim për arbresh.info tha se gruaja ka marrë lëndime në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa foshnja është mirë.

“Te Mjekimi Intensiv Qendror mbrëmë në mesnatë ka ardhë vetëm një prej të mbijetuarve. Është një paciente femër 27-vjeçare, shtatzënë 22 javësh. Ajo ka lëndime traumatike në regjionin e kokës më të lehta, regjionin e gjoksit, në regjionin e ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme, lëndime të rënda, lëndime serioze, të cilat para ekzaminimit dhe trajtimit në qendrën emergjente vazhdojnë të monitorohen në Intensivë. Foshnja për momentin është mirë, sipas ekzaminimeve nga gjinekologu, ajo është mirë”, tha Uka për arbresh.info.

Lidhur me aksidentin tragjik, ka njoftuar edhe sot Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

“Ka ndodhur aksident trafiku në mes të tri veturave me targa vendore, deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të pa njohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt. Nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes është konstatuar se tre viktima meshkuj kosovarë janë pa shenja jete, ndërsa tre të lënduar tjerë janë dërguar në emergjencën e Ferizajt, ku më pas ka ndërruar jetë edhe viktima e katërt mashkull kosovar ndërsa dy të lënduarit e tjerë janë dërguar në QKUK Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit”, thuhet në raportin e sotëm të policisë.

Ndërkaq, në lidhje me këtë aksident tragjik, ka pasur reagime të shumta nga akterë të lartë shtetëror, mes tyre edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Të ngjashme