Google ADS

Gjendja skandaloze e rrugës së Matiçanit, banorët kërkojnë zgjidhje urgjente, Komuna: Kjo është çështje javësh

11:27 | 10 Janar 2025
E.K

Kjo rrugë, e cila lidh një pjesë të Matiçanit me Hajvalin, dikur ishte e shtruar me kocka betoni.

Megjithatë, siç mund të shihni, Komuna e Prishtinës ka vendosur t’i largojë ato për të realizuar një projekt rinovimi. Pas largimit të kockave të betonit, në këtë rrugë janë krijuar gropa të thella, të cilat, sipas banorëve, po rrezikojnë seriozisht kalimin e automjeteve dhe po u shkaktojnë dëme të mëdha.

“Kjo është katastrofë, kjo është e papërballueshme, na kanë thënë që do ta bëjmë. Ju po e shihni edhe vetë, veturat po na dëmtohen unë i kalova këtej se nuk e dita se çfarë rruge është kjo”, tha ky qytetarë.

“Kjo rrugë për neve është shumë e vështirë, për nxënësit, autobusi vjen me i marrë fëmijët ne nuk mund të kalojmë andej lartë, është pengesë e madhe për popullsinë për neve pleqtë, autobusët nuk munden me kalu këtej, veturat po dëmtohen. Kemi bo ankesë në Komunën e Prishtinës veç kanë ardh e kanë “qupurit”, i kanë largu kockat e betonit vetëm i kanë larguar dhe i kanë lënë na kanë krijuar vështirësi. Kjo ka pas për më përfundu por veç e kanë lanë para Vitit të Ri ka pas me u përfundu”, pohon ky qytetarë.

Një tjetër banor i zonës ka përjetuar një situatë të ngjashme.

“Po qenka tmerrësisht e pamundur me kalu, tash kam mbet në gjysmë të rrugës, nuk po di a me vazhdu a me u kthy’, thekson ky qytetarë.

Për këtë situatë dhe ankesat e qytetarëve, drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, për Arbresh.info shpjegon se aktualisht punimet nuk mund të realizohen për shkak të kushteve teknike të pafavorshme, por shton se pasi të përmirësohen kushtet, do të fillojnë punimet për rinovimin e rrugës.

“Normalisht në rrethanat që i kemi ne. Tash nuk mund të punohet sepse kushtimisht kushtet teknike nuk e lejojnë punimin në këto rrethana që jemi. Në momentin që fillojnë punimet menjëherë fillojmë dhe e rregullojmë gjendjen. Gjendja e rrugës ka qenë e tmerrshme edhe para se me ardh ne, ka qenë devalvim komplet i kubëzave, gropave të mëdha për këtë arsye kemi ndërhyrë dhe për me rregullua atë pjesë. Gjendja në rrugë ka qenë tepër e keqe përveç kësaj edhe garancioni bankar i kompanisë e cila nuk ka ndërhyrë në kuadër të garancionit bankar të kubëzave të cilat janë trajtuar aty ne e kemi tërheqë garancionin bankar të rrugës kështu që për këtë arsye edhe kemi ndërhyrë në pjesën e rrugës”, thotë ai.

Xhaferi ka theksuar se problemi do të zgjidhet brenda disa javësh, duke shtuar se punimet për rehabilitimin e rrugës do të nisin shumë shpejt, mundësisht brenda një apo dy javësh.

“Realisht kur kemi periudha të lagështisë atu krijohen gropat, kur kemi rrugë të tillë t’i nuk mundesh të krijosh situata të cilat janë të favorshme edhe për pjesën e rrugës, ka pjerrtësi të madhe në çfarëdo situate aty një kohë e keqe një borë ose një diçka e tillë im krijon gropat menjëherë dhe kështu që po besojë është çështje e javëve , një javë ose dy javë ku ne fillojmë punimet dhe e rehabilitojmë këtë pjesë të rrugës. Është në kuadër të intervenimeve emergjente, kur të përfundon projekti ju tregojmë edhe për pjesën e buxhetit”, pohon ai.

Ai thekson se ky është një projekt si pjesë e intervenimeve emergjente dhe se, pas përfundimit të projektit, do të ofrohet informacion edhe për buxhetin e dedikuar për këtë punë./Arbresh.info/Edona Krasniqi/


Të ngjashme