Organizata ‘Environmentally Responsible Action’ (ERA) e ka gjetur të ngordhur trupin e një rrëqebulli ballkanik në parkun kombëtar, Bjeshkët e Nemuna. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUV) i është përgjigjur ERA-s se trupi është i dekompozuar dhe nuk mund të kryhet obduksioni i plotë. Shkaqet e vdekjes ende nuk dihen.
Për këtë ka reaguar kryetari i Komunës së Pejës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Rrjeti i Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit (BLRP) dyshon që Rrëqebulli është vrarë. “Pozicioni fizik i rrëqebullit të vdekur mbi degë duket jo i natyrshëm”, thuhet në njoftimin e organizatës ERA.
Trupi i rrëqebullit me urdhër zyrtar është dërguar ne laboratorin e AUV, në Sektorin e Patologjisë dhe Histologjisë. “Ata e kanë pranuar trupin, e kanë konfirmuar që është rrëqebull dhe e kanë vlerësuar trupin si të dekompozuar”, vazhdon njoftimi i ERA-s.
Për analiza të mëtutjeshme ERA ka marrë mostrat të materialit gjenetik të cilat do të dërgohen në Zvicër. Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se ndihet i shqetësuar që kemi humbur një rrëqebull.
“Rrëqebulli që jeton në Kosovë është lloj i rrallë për të gjithë botën. Ndihem shumë i shqetësuar që kemi humbur një rrëqebull. Unë si kryetar do të bëj më të mirën që të ruaj këtë vlerë botërore”, ka thënë Muhaxheri.
Për këtë rast ka reaguar edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Ministria ka shprehur shqetësimet e tyre dhe statusin ligjor të rrëqebulli në Kosovë.
“Rrëqebulli është një lloj plotësisht i mbrojtur dhe gjuetia e tij ndalohet rreptësishtë edhe me Kodin Penal të Kosovës, ku neni 359, paragrafi 4 parasheh dënimi prej 3 muaj deri 3 vite burgim për këdo që gjuan lloje të rrezikuara ose të rralla të kafshëve”, thuhet në reagimin e MMPH-së.
MMPH-ja, u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të Kosovës, të raportojnë për çdo veprimtari të dyshimtë të gjuetisë ndaj specieve të rralla dhe të mbrojtura me ligjet e Kosovës. Këtë vit bëhen 5 vite që ERA inventarizon kafshët e egra me fokus rrëqebullin ballkanik.
Në vitin 2015, ERA në kuadër të programit të BLRP ka konfirmuar ekzistencën e rrëqebullit në Kosovë. Deri tani janë konfirmuar vetëm dy individë. Sezoni 2018-19 i programit të monitorimit do të filloj në muajin tetor.
‘Environmentally Responsible Action’ (ERA) është një organizatë joqeveritare me seli në Pejë. Si mision ka ngritjen e vetëdijes mjedisore, ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë së rinisë dhe komunitetit të Kosovës. Programi Vjetor i Punës së ERA-s 2018 për Mjedisin, mbështetet përmes një granti operacional nga Bashkimi Europian.
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...