Gjenden mbetje mortore në Gllarevë të Klinës

13:02 | 2 Gusht 2017
Arbresh.info

Në fshatin Gllarevë të Klinë janë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohet se janë nga lufta e fundit në Kosovë.

Rastin për AktivPress e ka konfirmuar vet kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj.

Ai ka deklaruar se në këtë lokacion, gjatë disa punimeve janë vërejtur eshtra njerëzish të varrosura në tokë.

“Po është e vërtetë që janë gjetur mbetje mortore. Pikërisht prej vendit të ngjarjes tash u largova. Punimet që kanë qenë duke u zhvilluar në atë lokacion janë ndërprerë për shkak të dyshimeve se janë gjetur mbetje mortore dhe menjëherë është lajmëruar policia”, ka deklaruar Gjetaj për AktivPress.

Sipas tij, tashmë në vend të ngjarjes janë edhe ekspertët e njësive për krime lufte dhe hetime, të cilët kanë bërë zhvarrosjen e eshtrave dhe i kanë dërguar për ekzaminime të mëtejme.

Ndërsa ka shtuar se dyshohet që bëhet fjalë për eshtrat e vetëm një personi dhe se sipas të gjitha gjasave, mbetjet ekzistojnë prej luftës së fundit në vend.

“Njësia për krime lufte dhe hetime ka dalë në vend të ngjarjes dhe eshtrat janë nxjerrë në sipërfaqe. Tanimë ato janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe do të vazhdohet me procedurat e mëtutjeshme. Me anën e ekspertëve do të përcaktohet vjetërsia e mbetjeve dhe qëndrimit në dhe. Por sipas të gjitha gjasave dyshohet se mbetjet mortore janë të luftës së fundit, megjithatë analizat do të përcaktojnë identitetin e personi të zhdukur dhe kohën se kur ka ndodhur”, ka shtuar më tej Gjetaj.

Sipas kryetarit të Komisionit për Persona të Pagjetur, edhe pse dyshohet se eshtrat i përkasin vetëm një personi, kur të bëhet eksponimi i mbetjeve mortore do të përcaktohet edhe numri i saktë i personave.

Edhe pas 18 vjetësh nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë ende nuk dihet për fatin e 1665 personave të zhdukur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme