Kanë kaluar më shumë se gjashtë vjet qëkur kandidati i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës, Elvis Pista u qëllua për vdekje, derisa po dilte nga një restorant në periferi të Rahovecit, mirëpo ende asnjë person nuk është arrestuar për këtë rast.
Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, ani pse kjo prokurori ende nuk ka arritur të gjejë asnjë fakt të vetëm që do të ndihmonte në hapjen e ndonjë piste të mundshme që do të dërgonte në zbardhjen e rastit.
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Uka për arbresh.info thotë se deri tash kjo prokurori nuk ka asnjë informatë që do të ndihmonte në përafrimin e zbardhjes së këtij rasti.
Megjithatë, prokurori Uka, thotë se u ka kërkuar Policisë së Kosovës të vazhdojnë tutje në hetime.
“Unë kam bërë edhe një kërkesë ndaj drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për Krime të Rënda në Prishtinë për të vepruar tutje , i kam udhëzuar. Ata kanë thënë që janë duke vepruar në këtë drejtim, për momentin deri tani nuk ka asgjë”, ka thënë prokurori Uka për arbresh.info.
IKD: Prokuroria Themelore në Gjakovë s’ka resurse profesionale, ky rast duhet të hetohet nga Prokuroria Speciale
Njohës të çështjeve të drejtësisë nuk ia besojnë këtë çështje Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se Prokuroria Themelore në Gjakovë nuk ka resurse njerëzore dhe as profesionale për të trajtuar një rast kompleks, siç është ky i vrasjes së Pistës.
Miftaraj, për arbresh.info, hedh dyshime rreth profesionalizmit të prokurorit të rastit, Ali Uka, i cili kishte bërë gabime profesionale, duke treguar publikisht kohën kur kanë filluar masat e përgjimit ndaj të dyshuarve të përfshirë në këtë rast.
“IKD në vazhdimësi ka potencuar se Prokuroria Themelore në Gjakovë nuk ka resurse njerëzore dhe profesionale për të trajtuar këtë rast kompleks. Aq më tepër kur prokurori i rastit gjatë trajtimit të këtij rasti ka bërë gabime profesionale duke treguar në publik edhe kohën kur kanë filluar masat e përgjimit ndaj personave të dyshuar”, thotë ai.
Miftaraj, pohon se ky rast duhet të kalojë në kompetencë të Prokurorisë Speciale.
“Në këtë drejtim, PSRK duhet të marr këtë rast në kompetencë dhe të caktojë prokurorë me përvojë dhe ekspertizë për të trajtuar këtë rast”, është shprehur Miftaraj.
Ndryshe, Elvis Pista është vrarë mëngjesin e 15 qershorit të vitit 2014, kur po dilte nga restorant “Jahaj” në Rahovec, pas një organizimi që kishte bërë për ditëlindjen e bashkëshortes së tij. Pista ishte qëlluar me katër plumba pas shpinës me një armë shurdhuese./Gita Lushi/Arbresh.info
Rama: Dekada e fundit vendimtare për Shqipërinë, rol përcakt...
Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i jep fund apetit...
Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsis...
“Ish krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, Rama nga Prish...
Masat e BE-së ndaj Kosovës, Rama: Duhet të hiqen- Barra duhe...
Bashkimi Evropian dërgon në Kosovë vëzhgues për zgjedhjet e ...