Google ADS

“Gjasat që Kuvendi të marrë vendim për Specialen, janë të vogla”

16:23 | 10 Janar 2018
Arbresh.info

Letra që kryeparlamentari, Kadri Veseli publikoi para dy ditësh lidhur me Gjykatën Speciale, i ka lënë të heshtur deputetët e kësaj partie.

As shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së as inicuesi i seancës së jashtëzakonshme, por as deputetë të tjerë të kësaj partie nuk kanë dashur të flasin për nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Njohësit e rrethanave politike, shohin gjasa të vogla të ndodhë një gjë e tillë

Veseli në letrën që publikoi para dy ditësh tha se Gjykata Speciale është e dëmshme për Kosovën, por ajo do të ndodhë sepse Kosova nuk ka fuqi ta shfuqizojë atë. Kjo duket si një shenjë se, edhe nisma e 43 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e kësaj gjykate, do të mbetet e parealizuar. Kjo letër e Veselit ka bërë që edhe deputetët e PDK-së të heshtin lidhur me këtë çështje.

Vetë inicuesi Nait Hasani, nuk ka dashur të flas, i kontaktuar nga Radio Kosova deputeti Hasani ka thënë se nuk mund të flas për atë se çka do të ndodhë me këtë nismë. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, i kontaktuar nga Radio Kosova ka thënë se nuk do të deklarohet për këtë çështje.

Profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se pas përpjekjes së parë të pasuksesshme që të procedohet kjo çështje dhe pas deklarimit të kryeparlamentarit Veseli rreth saj, gjasat që Kuvendi të marrë vendim për Gjykatën Speciale, janë të vogla.

“Tashmë ka gjasa të mëdha që kjo iniciativë të mos procedohet dhe edhe nëse procedohet të mos ketë gjithsesi shumicën në Kuvend dhe të mos realizohet”, tha Baraliu për Radio Kosovën.

Sipas Baraliut, janë një sërë indikatorësh që tregojnë se është e parealizueshme iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Këtë sipas tij, e dëshmon edhe letra e kryeparlamentarit Veseli.

“Sigurisht që kryetari i Kuvendit ka pasur parasysh indikatorët e ndryshëm dhe është deklaruar ashtu si është deklaruar se një iniciativë e tillë nuk mund të kalohet”, tha Baraliu.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta kanë thënë se kryetari i Kuvendit duhet ta thërras sa më shpejt seancën e jashtëzakonshme, për të cilën janë mbledhur mbi 15 mijë nënshkrime të qytetarëve dhe 43 nënshkrime të deputetëve. Sipas tyre, me mosthirrje të seancës, po bëhet shkelje e Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme