Moszbatimi i vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për lirim të akcizës për mazut nga ana e Doganës së Kosovës po e dërgon drejt falimentimit Ngrohtoren e qytetit të Gjakovës, pikërisht në kohën kur vendi po përballet me temperatura të ulëta.
Duke shfrytëzuar vendimin e kryeministrit të Kosovës, të datës 06.10.2017, menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje publike përmes kontraktorit deri më tash është furnizuar me mazut pa akcizë. Por nga fillimi i kësaj jave Dogana sërish ka filluar të aplikojë këtë taksë pa dhënë ndonjë sqarim.
Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje publike thotë se kompania që ai drejton po futet drejt një krize të thellë, pasi ndërmarrja nuk ka mjete për ta paguar akcizën në mazut.
“Ne deri më tash përmes kontraktorit kemi importuar mazut pa akcizë, por nga dje ata nuk po na lejojnë më. Ne nuk kemi mjete për ta paguar akcizën. Nëse nuk ndërhyn Qeveria për ta qartësuar situatën qytetarët e Gjakovës, të cilët ngrohen nga Ngrohtorja, rrezikojnë të mesin pa të”, ka thënë i shqetësuar kryeshefi Shala.
Sipas tij, një ton mazut deri më tash pa paguar akcizën është blerë për rreth 500 euro, por me akcizë ajo është mbi 800 euro, shumë kjo e papërballueshme për një ndërmarrje siç është Ngrohtorja e qytetit të Gjakovës.
“Unë për situatën e krijuar kam njoftuar kryetarin e Komunës, por do t’i njoftojmë edhe institucionet qendrore. Kjo nuk ka kuptim, vendimi i Qeverisë është në fuqi, ndërsa Dogana nuk e respekton atë. Kjo për mua është e pakuptimtë”, ka thënë Shala për gazetën “Zëri”.
I kontaktuar nga gazeta “Zëri” drejtori i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, nuk ka dashur të japë shpjegime se si deri më tash mazuti për nevoja të kësaj ndërmarrjeje është importuar pa akcizë, derisa nga e hëna edhe për këta ka filluar ta aplikohet norma e akcizës.
“Për këtë çështje është mirë të flisni me dikë nga Ministria e Financave, pasi ne vetëm zbatojmë vendimet dhe nuk i hartojmë ato”, ka thënë Berisha.
Më tutje gazeta ka kërkuar nga kryeministri informacione se me çfarë vendimi ka lejuar deri më tash kompaninë publike për nevoja të saj të importojë mazut pa TVSH-në dhe me çfarë vendimi ka ndaluar që të importojë mazut pa TVSH-në, por edhe për këtë çështje Berisha nuk ka dhënë shpjegime.
“Pyetni ata të komisionit të Ministrisë së Financave”, ka thënë shkurt Berisha përmes telefonit.
Po ashtu edhe zëdhënësi i Doganës ka bërë të ditur se vendimet e Qeverisë kanë të bëjnë direkt me prodhuesit jo vetëm me një kompani. “Pra, edhe secila kërkesë e dorëzuar trajtohet veçantë nga Komisioni për Shqyrtimin e Kërkesave. Kërkesa e kësaj ndërmarrjeje publike është duke u shqyrtuar dhe komform vendimit të Komisionit edhe do të pronësohet tutje. Gjithsesi duhet të merret parasysh fakti se kjo është një ndërmarrje publike e subvencionuar nga shteti”, ka thënë Stavileci.
Dita e Alfabetit Shqip, Begaj: Gjuha e shqiponjave do të mbi...
Hyrja e “lirshme” e drogës në burgjet e Kosovës, për tre vje...
Pacolli udhëton me tren: Moment qetësie larg zhurmës së përd...
Intervista e Ronaldo-s me MrBeast-in po thyen rekorde, 17 mi...
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...