Zyra e prokurimit e Komunës së Gjakovës dështoi në disa iniciativa që të nis rregullimin e parkut të qytetit.
Komuna e Gjakovës që udhëhiqet nga Ardian Gjini i AAK-së, me çdo kusht deshi të nënshkruante kontratë për tenderin “Rregullimi i parkut të qytetit –Kontratë tri vjeçare”, me një kompanie që drejtohet nga një njëri i AAK-së.
Tenderi iu dha kundërligjshëm, kompanive në konsorcium “OE D& T Group & Horn & Co. Kosova & NP INova”. Andaj, Organi Shqyrtues i Prokurimit urdhëroi që lënda të kthehet në rivlerësim. Në dy rastet e rivlerësimit, komuna e Gjakovës e shpalli fitues konserciumin e njëjtë, duke e shkelur kështu ligjin e prokurimit publik, shkruan Lajmi.net.
Komuna pa që nuk mund të nënshkruante kontrata me këto kompani, ku pronar i “HORN & CO.KOSOVA”, është Admir Hasanaj, zyrtarë i komunës në Deçan dhe njëri i AAK-së, atëherë paratë që ishin planifikuar për vitin e parë të realizmit të projektit u shpenzuan në projekte tjera dhe tenderi u pezullua. Por, OSHP-ja gjeti se projekti u anulua kundërligjshëm, andaj e lëshoi një urdhëresë para disa jave që tenderi rivlerësohet. Mirëpo, Komuna e Gjakovës po nuk po e zbaton këtë vendim. Tash këtë rast mund ta zgjidh vetëm gjykata.
Lajmi.net i ka adresuar disa pyetje komunës së Gjakovës për këtë tender, por kjo komunë nuk ka dashur të përgjigjet.
Tender për njeriun e AAK-së
Fillimisht, Komuna e Gjakovës kishte hapur ofertë në muajin qershor të vitit 2018, për projektin “Rregullimi i parkut të qytetit –Kontratë tri vjeçare”.
Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 449.956,00 euro. Vlera e planifikuar për vitin 2018 ka qenë 150 mijë euro. Për vitin 2019 është 100 mijë euro, ndërsa për vitin 2020 është 200 mijë euro.
Lajmi.net ka mësuar se vlerësimit të komunës iu nënshtruan 8 garues: 1.“D& T Group”, “Horn & Co. Kosova”, “Inova” me vlerë të ofertës 404. 566, 28 euro. 2. “Viktory Com”, “Benita Compaby”, me ofertë 317. 618, 55 euro. 3. “Marisa”, “GËRLICA –Company” , me ofertë 362. 388, 18 euro. 4. “Thesar”, “ I.Seferi”, me ofertë 378. 689. 63 euro. 5. “Valbona –Gj:, “Ndërtimi”, me ofertë 388. 839, 72 euro. 6. “Albi Company” , me ofertë 417. 780, 89 euro. 7. “Beni” me ofertë 420. 599, 71 euro. 8. “Eing Com”, me ofertë 431. 463, 75 euro.
Zyra e prokurimit në komunën e Gjakovës shpalli fitues tri kompanitë në konsorciumin “D & T Group” SH.P.K, “HORN & CO.KOSOVA” SH.P.K. dhe N.P ” Inova ” Sh.P.K, me vlerë të ofertës prej 404, 566, 28 euro. Kjo ofertë nuk ishte më e lira, por ato që kishin çmim më të lirë u shpallën të papërgjegjshme për arsye të ndryshe.
Lajmi.net ka mësuar se pronari i kompanisë fituese në konsorcium “HORN & CO.KOSOVA”, është Admir Hasanaj. Ai është shef i zyrës së turizmit në komunën e Deçanit, e cila udhëhiqet nga AAK-ja. Kurse gjatë vitit 2010-2013, Hasanaj ka qenë njëri nga drejtorët e qeverisë komunale të udhëhequr nga kryetari Rasim Selmanaj. Ai ka qenë edhe kandidat për asamblist nga radhët e AAK-së në zgjedhjet e vitit 2009. Po ashtu, Hasanaj ka qenë pjesë e organizimeve në fushatën e fundit zgjedhore në Deçan (shih fotot në fund të tekstit).
Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës -ARBK, drejtor gjeneral në kompaninë “HORN & CO.KOSOVA” është, Admir Hasanaj, ndërsa si pronor është, “Horn & Co. Engineering GmbH”. Por, një kompani me emër decitiv të tillë nuk ekziston në ARBK.
“Gjykata e tenderëve” ia anuloi tenderin Komunës
Pas shpalljes së fituesve, në Organin Shqyrtues të Prokurimit u ankuan konsorciumi i kompanive “Marisa” SHPK dhe “Gërlica” SHPK. Ato pretenduan se u shkel ligji i prokurimit publik në 5 pika kur u shpallën fitues kompanitë për këtë projekt, konkretisht, neni 1, 5, 59, 60, 72 të Ligjit të Prokurimit, si dhe pika 39 të Udhëzuesit Rregullativ.
Më 17 tetor, OSHP-ja i dha të drejtë kompanive ankuese dhe e urdhëroi Komunën që lëndën ta kthejë në rivlerësim. Seanca gjyqësore u zhvillua kryesisht rreth asaj se si Zyra e Prokurimit të Komunës kishte tentuar t’ia humbet afatin për ankimin në OSHP kompanive ankuese, pasi e kishte zgjatur kundërligjshëm afatin për rishqyrtim të kompanive, dhe në fund i kishte eliminuar. OSHP-ja ka gjetur se gjatë eliminimit të kompanive nga ana e autoritetit kontraktues, operatorët ekomomik nuk janë njoftuar kundruall ligjit.
Komuna ka tentuar që t’ia humb afatin ligjor të ankesës në OSHP, pasi fillimisht kompanitë janë ankuar pranë autoritetit kontraktues dhe ky i fundit ka kërkuar edhe tri ditë shtesë më shumë afat për rishqyrtim. Pra, komuna u ka kthyer përgjigje më vonës. Madje, autoriteti kontraktues i kishte dërguar e-mali për njoftim të anulimit anëtarit të konsorciumit “Gërlica”, dhe jo liderit të grupit “Marica”.
Po ashtu Paneli i OSHP-së ka konsideruar se autoriteti kontraktues në këtë aktivitet të prokurimit duhet të ketë në konsideratë edhe nenin 1 të Ligjit të Prokurimit.
“Pasi që dihet se qëllimi i këtij ligji është të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike, burimeve publike si dhe të gjitha fondeve dhe burimeve të tjera të autoriteteve kontraktuese janë të obliguara që të sigurojnë që fondet publike dhe burimet publike të përdorën në mënyrë më ekonomike, njëkohësisht duke marr në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit ashtu siç parashihet në nenin 6 të LPP-së”.
Në fund, Paneli Shqyrtues ka konstatuar se autoriteti kontraktues duhet ta shkëpusë kontratë e lidhur me “OE D& T Group & Horn & Co. Kosova & NP INova”, dhe aktivitetin ta kthejë në rivlerësim.
Komuna i bënë shkeljet e njëjta
Pas vendimit të OSHP-së, Komuna e Gjakovës e ka kthyer në rivlerësim këtë lëndë dhe përsëri ka shpallur fitues konsorcimin e njëjtë në të cilin bënte pjesë edhe njeriu i AAK-së.
Përsëri janë ankuar kompanitë e njëjta me pretendimet e njëjta se është shkelur Ligji i Pprokurimit, si neni 1-Qëllimi, neni 5 -Ekonomiciteti dhe efikasiteti, neni 6 – Barazia në trajtim, neni 59 Ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve, neni 60 -kriteri për dhënie të kontratës, neni 72 -dokumentacioni dhe informacioni shtesë.
“Vini Re: Në dosjen e tenderit të paraqitur nga grupi i OE janë të gjitha dokumentet e falsifikuara. AK – Komuna e Gjakovës nuk e ka respektuar aspak këtë vendim të OSHP-së, ku kërkohet shfuqizimi i kontratës dhe lënda të rikthehet në rivlerësim. Duke u bazuar në të gjitha faktet, zyra e prokurimit nuk dëshiron për dëshira personale që ne të shpërblehemi me kontratë”, thuhet mes tjerash në ankesë.
OSHP-ja ka sqaruar se Autoriteti Kontraktues nuk i ka marr parasysh sqarimet e dhëna në vendimin e OSHP-së, duke rekomanduar për kontratë të njëjtët operator ekonomik dhe duke mos vlerësuar siç duhet ofertat konform nenit 59 të LPP-së.
“Po ashtu më datë 23.10.2018, AK-ja ka kërkuar vazhdimin e validitetit të ofertave dhe vazhdimin e sigurimit të tenderit dhe nga gjithsejtë 7 OE, 4 nga e kanë vazhduar validitetin dhe 3 kanë bërë vazhdimin e sigurimit të tenderit”.
OSHP-ja sqaron se të gjitha pikat tjera të raportit të rivlerësimit janë të njëjta me raportin e vlerësimit dhe se nuk ka dëshmi që neni 59 i LPP-së është zbatuar. Andaj, OSHP-ja ka kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim.
Komuna nuk e rivlerëson tenderin, por e pezullon projektin
Më 4 janar, kompanitë e njëjta kanë parashtruar përsëri ankesë në OSHP për të shprehur pakënaqësitë e tyre se Komuna e ka pezulluar projektin.
“E kemi marr një emali për eliminim, kurse me pas kemi bërë një kërkesë për rishqyrtim, pas një kohe jemi njoftuar nga AK përmes e-mail-it se është pezulluar lënda dhe nuk kemi pranuar më asnjë e-mail ose ndonjë formë tjetër për të na treguar se çfarë ka ndodhur me ankesën tonë drejtuar zyrës së prokurimit”.
Ankesa, tash është bërë kundër njoftimit për anulim të aktivitetit të prokurimit.
OSHP-ja e ka marr në shqyrtim këtë ankesë. Më datë13 shkurt, e ka urdhëruar komunën e Gjakovës që këtë të zbatojë vendimet e OSHP-së.
Komuna në arsyetimin e vetë ka thënë se anulimi është bërë në mungesë të mjeteve financiare. Por, eksperti i OSHP së, sqaron se gjatë rivlerësimit, më datë 29 nëntor 2018, komisioni është njoftuar nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa e KK- Gjakovë së është tërhequr shuma prej 99 mijë e 160 eurove nga kategoria e investimeve kapitale dhe se përcaktimi i disponushmerisë së fondeve nuk mund të jetë më valid.
Por, më datën 27 shkurt, Komuna ka bërë njoftim për pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit. Ndërsa, në një vendim të datës 3 mars, të Komunës së Gjakovës, që e ka parë lajmi.net, thuhet se konsorciumi “OE D& T Group & Horn & Co. Kosova & NP INova” është shpërndarë më kërkesë të tyre dhe mbetet në fuqi vendimi për pezullim./Lajmi.net/
Më poshtë mund të shihni disa fotografi të pronarit “HORN & CO.KOSOVA”, Admir Hasanj në aktivitet partiake:
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?