Partitë politike gjatë fushatës zgjedhore premtuan rritje ekonomike deri në 8 për qind. Por këto premtime u demantuan nga Banka Botërore, e cila në raportin e saj vjetor të publikuar ditë më parë tha se deri në vitin 2021, Kosova do të ketë një rritje ekonomike prej vetëm 4.2 për qind.
Këto premtime po shihen të parealizueshme edhe nga njohës të ekonomisë.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu në një intervistë për Ekonomia Online, premtimet e politikanëve për rritje ekonomike po i vlerëson si manipuluese dhe të pamoralshme.Ai thotë se partitë që bën këso lloj fushate, u ndëshkuan nga populli.
“Partitë politike duhet të kuptojnë që në kampanjat zgjedhore duhet të kenë paksa etikë dhe moral përballë votuesve dhe qytetarëve të Kosovës. Nuk e meritojnë qytetarët e Kosovës që të manipulohet në këtë mënyrë, sepse sot populli është vetëdijesuar, kupton, logjikon dhe populli nuk harron dhe ndëshkon. Në qoftë se bëhet një analizë më e thuktë e dështimit të shumë partive politike në këto zgjedhjet e tetorit, atëherë definitivisht u ndëshkua arroganca, jo sinqeriteti dhe premtimet të cilat edhe ata vet që i thonë nuk i besojnë”, thotë ai.
Gërxhaliu thotë se nuk mund të ketë rritje ekonomike pa sunduar rendi dhe ligji, ndërsa premtimet e politikanëve po i quan utopike.
“Të thuhet në këtë vobektësi të sundimit të rendit dhe ligjit se do të ketë rritje 8 për qind është vërtet utopike. Duhet të kuptohet se Kosova ka nevojë për rritje ekonomike substanciale. Nuk i duhet Kosovës një rritje ekonomike edhe 8 për qind në qoftë se rritja bazohet vetëm në shpenzime ose në konsum. Kosovës i duhet një rritje më e ultë, por të ketë shumë indikatorë pozitivë, të ketë investime të huaja direkte, të krijojë vende të reja të punës, të ketë kontraktim të punëve të kompanive vendore në tregjet ndërkombëtare dhe me gjerë. Në këtë drejtim të flitet për rritje ekonomike 8 për qind është vërtet një dëshirë e parealizueshme”, thotë ai.
Ish-kreu i OEK-ut po vlerëson se Kosova me demarkacionin dhe taksën ka humbur 5 vjet kohë dhe se pasojat do të reflektohen në 50 vjetët e ardhshme.
Ndërsa komenton edhe pretendimet e politikanëve të cilët premtuan gjatë fushatës zgjedhore dyfishim të buxhetit aktual.Kritikon qeverinë Haradinaj për të cilën thotë se nuk ndërtoi raporte kontraktuale as me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).
“Duhet të kuptohet se në shekullin 21të humben 5 vjet, tri vjet për demarkacionin dhe dy përmes një takse, këtë luks e lejon vetëm Kosova. Por të humben 5 vjet në këtë kohë pasojat do të reflektohen në 50 vitet e ardhshme. Në qoftë se Kosova vazhdon edhe më tutje të eksportojë para të gatshme atëherë përgjigja do të jetë kjo. Në rend të dytë Kosova e ka një fat që përveç një buxheti që kalon në parlamentin e Kosovës dhe buxhet i cili është paraprakisht i gjykuar për të keqpërdorur, keq shfrytëzuar dhe padisiplinë financiare. Pse është kështu, e dëshmon edhe FMN-ja, që dy vite nën udhëheqjen e qeverisë aktuale Kosova nuk ka raporte kontraktuale me këtë institucion. Duhet të kuptohet se FMN-ja ka rëndësi mutlidimensionale, nuk është vetëm prani ekonomike në Kosovës, por është politike, strategjike, integruese”, thotë ai.
“Në këtë drejtim një ndër sfidat kryesore do të jetë në të ardhmen rehabilitimi i këtyre marrëdhënieve të shkëputura në mungesë të gatishmërisë. Ne mund të flasim për rritje të buxhetit në përqindje të ndryshme, por emëruesi i përbashkët që mundëson një rritje ekonomike duhet të jetë sundimi i rendit dhe ligjit. Dhe kush është sot i gatshëm që të sakrifikojë pozitën dhe veten pasi që është pjesë e krimit, që të forcojë sundimin e rendit dhe ligjit. Prandaj, duhet të kemi politika të cilat janë të arsyeshme, të analizuara dhe në fund të fundit fjalën e parë dhe të fundit duhet ta thotë dijenia dhe shkenca dhe jo populizmi dhe dëshirat politika”, tha Gërxhaliu.
Gërxhaliu thotë se qeveria Haradinaj mori shumë vendime të pamenduara dhe analizuara, ndër to vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, që si pasojë Kosova humbi shumë, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik.
“Në qoftë se për diçka do të mbahet mend kjo qeveri është ajo për vendime Ad-Hoc. Nga këto vendime më shumë kanë përfituar njerëz të interesit, kanë përfituar njerëz por ka humbur Kosova. Në qoftë se diçka ka humbur Kosova, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë aspekti politik dhe integrues, ka qenë vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe. Favori më i madh që i ka bërë ndonjëherë Kosova Serbisë është po kjo taksë, sepse e shfrytëzojë si penalti për të shënuar gol dhe përmes këtij goli e përvetësoi botën e painkuadruarve, i bëri për vete të gjithë mbështetësit e pavarësisë së Kosovës dhe ne jemi këtu ku jemi”, thotë ai.
Gërxhaliu hodhi kritika edhe ndaj këshilltarëve të Haradinajt, për të cilët thotë se nuk ditën ta orientojnë, sa i përket taksës.Jep disa alternativa të cilat ka qenë dashur t’i përdorë Haradinaj.
“Falë fatit që në Kabinetin Qeveritar të Haradinajt kanë qëlluar njerëz që para dite qëndrojnë në Beograd e pasdite në Prishtinë dhe kanë keqrekomanduar ka ndodh kjo që ka ndodh. Në rrethana normale kronologjia ish dashur të jetë e tillë që Haradinaj si kryeministër ta merr Ministrin e Financave, Ministrin e MTI-së, Doganat e Kosovës dhe t’i mbledhë të gjitha barrierat e evidentuara për të bërë biznes me Serbinë, të kërkojë një takim ën Bruksel me Mogherinin dhe Hahnin, t’i argumentojë këto probleme dhe të thotë se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç familjes Evropiane, bashkëpunimi rajonal është i paalternativë.
Në këtë drejtim të kërkojë nga ta që t’i evitojnë këto barriera në periudhë kohore 60 ditore.
Dhe në qoftë se nuk do të evitohen këto barriera atëherë Kosova do të përdorë reciprocitet të plotë me Serbinë. kjo kishte me qenë rruga”, shton Gërxhaliu.Sipas Gërxhaliut edhe kryeministri i ardhshëm duhet të ketë kujdes në raport me Serbinë.Thotë se reciprociteti me këtë shtet është hap i vonuar, por pa alternativë.
“Me një dialog të paraprirë të adresuar në instancat ndërkombëtare të Kurtit si kryeministër të paralajmërohet që në qoftë se nuk do të ketë lëvizje për eliminimin e këtyre barrierave do të përdorin reciprocitet, është pak një vendim i vonuar, mirëpo nuk ka alternativë tjetër”, përfundon Gërxhaliu.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...