Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka thënë se të gjithë duhet të luten që viti tjetër të mos i gjejë konsumatorët kosovarë në gjendjen e keqe që, sipas tij, janë sot.
Ai, në Klan Kosovës, ka thënë se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nuk është arsyeja e vetme pse ka pasur rritje të çmimit të naftës dhe shumë produkteve bazike ushqimore.
“Kohëve të fundit, dëgjojmë debate të ndryshme, por nuk ka argumentim të mirë pse jemi këtu ku jemi. Zakonisht përdoret si argumentim vetëm lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, por globalizimi ka bërë të veten dhe këtë e bazoj në disa shifra interesante. Një ndër faktorët kyç pse jemi këtu ku jemi është pandemia – pandemia ekonomike dhe lufta mes Ukrainës dhe Rusisë. Sot e kemi një fuqi ekonomike, që quhet Kina, e cila, në vitin 2021, e rrit importin e produkteve ushqimore për 360 % dhe 69 % të rezervave botërore të ushqimit i posedon në rezervat shtetërore dhe kjo është disbalancë mes ofertës dhe kërkesës. Kjo është një disbalancë shumë e rrezikshme që e godet botën”.
Madje, Gërxhaliu ka paralajmëruar se të gjithë indikatorët tregojnë se inflacioni mund të jetë dyshifror deri në fund të këtij muaji.
“Të dhënat tregojnë për ngritje të çmimeve rreth 7.2 %, mirëpo mos harroni në vitin 2021 Kosova ka importuar 4 miliardë e 700 milionë euro dhe me këtë import ne kemi shkallë të inflacionit për janar të vitit 2022 7.1 % dhe kam frikë që me këtë trend inflacioni do të jetë dyshifror në fund të marsit. Nuk e dëshiroj, por të gjithë indikatorët tregojnë për këtë. E tërë kjo e ka goditur konsumatorin e Kosovës, sepse atë që e ka blerë me 100 euro në vitin 2020, e ka blerë 150 në vitin 2021 dhe të njëjta gjëra nëse dëshiron t’i blejë sot duhet t’i paguajë 180 euro. Ky është diskriminimi më i madh që i bëhet”.
“Të njëjtën kohë kemi ngrirje të pagave, sepse pothuajse që 12 vjet kemi të njëjtën pagë minimale. Sektori privat po shihet në çfarë situate është sa i përket raportit me punëtorët, por nuk është në pozitën më të mirë edhe administrata e cila vërtet ka ngrirje të pagave dhe ky duhet të jetë shqetësim”.
Ai ka insistuar se të gjitha problemet sot mund të zgjidhen me vullnet, derisa insiston se politikat zhvillimore duhet të jenë në duart e prodhuesve dhe jo tregtarëve.
“Jemi në epokën e digjitalizimit dhe çdo mall që hyn në Kosovë evidentohet në tri databaza – ATK, Dogana dhe marketi – prandaj nuk duhet filozofi, por vullnet dhe të dihet a ka mbulesë apo jo. Për fat të keq nga viti 2003 e tutje politikat zhvillimore në Kosovës nuk kanë qenë në duart e prodhuesit, por në duart e tregtarit. Kemi lidhje të ngushtë mes tregtarëve dhe politikbërësve në pushtet dhe kjo ka bërë që të krijohen grupe të caktuara të interesit të paprekura. Edhe Autoriteti i Konkurrencës duhet të dijë se si është e mundur që në të njëjtën kohë të kurdisen çmimet në 3 euro e 49 centë brenda ditës, dhe kjo duhet të analizohet dhe të kërkohet”.
Zhduket një vajzë e mitur në Prizren
I mituri ther me thikë të miturin në Fushë Kosovë
Komisioni për Punë të Jashtme takon sot Komisionin për Buxhe...
SHBA njeh liderin e opozitës si president të zgjedhur në Ven...
Ndahet nga jeta në moshën 35-vjeçare aktori Paul Teal
Shënohet Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve