Gërvalla: Të lënduarit janë në gjendje stabile, vetëm njëri nga ta është dërguar në Spitalin e Zagrebit

08:49 | 26 Korrik 2021
Përparim Bublaku

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka dhënë detaje për gjendjen e të aksidentuarëve në aksidentin e ndodhur në Kroaci, ku të dielën humbën jetën 10 qytetarë nga Kosova dhe u lënduan afër 40.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se të lënduarit janë në gjendje stabile, ku vetëm njëri nga ta është dërguar për në spitalin e Zagrebit.

“Vetëm një nga të lënduarit është dërguar për arsye specifike mjekësore në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur në spitalin e qytetit. Dy nga pacientët ende ndodhen në trajtim intensiv, njëri prej tyre në gjendje tashmë stabile. Të gjithë të tjerët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe shumë prej tyre pritet të lirohen nga spitali gjatë ditës së sotme. Sipas informacioneve të mjekëve kroatë, edhe gjendja e pacientit në Zagreb është e mirë dhe stabile. Në spital i takuam të gjithë pacientët një nga një dhe me secilin prej tyre shkëmbyem nga pak fjalë. Shumë prej tyre, dhe sidomos fëmijët, e kishin të shkruar në fytyrë tmerrin e përjetuar. Në ndërkohë në spital kishin filluar të arrinin familjarët e të lënduarve, të cilët duke u bashkuar me familjet e tyre po ndihmojnë në përmirësimin e shpejtë të gjendjes shpirtërore dhe mjekësore të të lënduarve”, ka shkruar Gervalla, e cila ka falënderuar autoritet kroate për ndihmën.

Ajo ka bërë të ditur se bashkë me kryeministrin Kurti janë duke u kthyer në Kosovë.

“Së bashku me Kryeministrin po kthehemi në Kosovë. Ministrat Sveçla dhe Vitia po vazhdojnë të qëndrojnë në Slavonski Brod nga ku po kujdesen për të gjitha, edhe për udhëtimin për Kosovë të të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë, dhe këta janë shumica. Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre”, ka shkruar ndër te tjera Gërvalla./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme