Në përmbyllje të vizitës së saj të punës në Itali, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, takoi delegacionin e deputetëve italianë në Këshillin e Evropës, të udhëhequr nga Elisabetta Gardini.
Takimi u fokusua në fuqizimin e bashkëpunimit për integrimin në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe forcimin e lidhjeve midis Kosovës dhe Italisë, përcjell Arbresh.info.
Gjatë takimit, Gërvalla vlerësoi mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës dhe theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës në avancimin e demokratizimit të shtetit, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.
“Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për t’u anëtarësuar këtë vit në Këshillin e Evropës”, tha Gërvalla para deputetëve italianë.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë në drejtim të arritjes së qëllimeve të përbashkëta, duke përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe integrimin euroatlantik./Arbresh.info