Google ADS

Gërvalla-Schwarz në Samit: Kosova angazhohet për bashkëpunim rajonal midis partnerëve të barabartë

20:04 | 17 Qershor 2021
Arbresh.info

Në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), sot u miratua një deklaratë në të cilën vendet harmonizuan vizionin e Kontinentit të Vjetër dhe u zotuan për bashkëpunim ekonomik dhe të sigurisë, si dhe mbi luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Samiti po mbahet në Antalia dhe përveç Turqisë, morën pjesë edhe përfaqësues të lartë politikë të vendeve të rajonit dhe Kosovës.

Kosova është përfaqësuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Kjo e fundit përmes rrjeteve sociale ka pohuar se Kosova është e angazhuar për bashkëpunim rajonal në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Ishte një privilegj të tregoja pozicionet e qeverisë së re në takimin e ministrave të jashtëm në SEECP. Kosova nënvizon angazhimin e saj për bashkëpunim rajonal midis partnerëve të barabartë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian bazuar në sundimin e ligjit dhe për prosperitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Gërvalla-Schwarz në Twitter.

Deklarata i bënë thirrje Bashkimit Evropian të intensifikojë zgjerimin me vendet e SEECP, duke besuar se kjo është thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin e kësaj pjese të Evropës.

Ajo thekson se migrimi, radikalizimi, ekstremizmi, racizmi, diskriminimi dhe ksenofobia janë sfida të sigurisë, të cilat janë të lidhura me intolerancën, antisemitizmin, islamofobinë, sjelljen anti-rome dhe gjuhën e urrejtjes. Keqinformimi u identifikua gjithashtu si një sfidë e sigurisë.

Deklarata thekson se mekanizmi global COVAX është çelësi i shpërndarjes së drejtë të vaksinave të coronavirusit. Ata u bënë thirrje autoriteteve në nivele të ndryshme për të siguruar fondet e nevojshme për të luftuar pandeminë. /arbresh.info/

 

Të ngjashme