Google ADS

Gërvalla pret në takim presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës: Mërgata, urë e përhershme e miqësisë

16:37 | 9 Korrik 2024
E.H

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka pritur sot në takim presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer.

Gjatë takimit, Gërvalla theksoi avancimin e marrëdhënieve bilaterale në fuqizimin e demokracisë, arsimit dhe investimet në kapacitetet humane, me theks të veçantë të të rinjve si dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Zvicrës ndaj Kosovës që nga periudha e çlirimit deri në pavarësi, zhvillim dhe integrim, përcjell Arbresh.info.

“Ajo vlerësoi kontributin e Zvicrës në Kosovë, duke përfshirë zhvillimin e demokracisë, arsimit profesional, qeverisjen lokale, projektet infrastrukturore në mbrojtje të mjedisit, ujësjellës, bujqësi dhe jo vetëm si dhe mbështetjen e vazhdueshme në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Të dy palët tutje theksuan rëndësinë e mërgatës kosovare në Zvicër, duke folur për integrimin e saj të suksesshëm, fuqizimin ekonomik dhe rolin e saj të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes dy shteteve.
Gërvalla nënvizoi se mërgata është një urë e fortë bashkëpunimi dhe një aset i çmuar për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës.

“Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla paraqiti arritjet e Republikës së Kosovës në shumë fusha dhe shpalosi mundësitë e mëdha për investime në vend. Ajo theksoi se Kosova ofron një mjedis të favorshëm për biznes, me potencial të lartë te të rinjtë dhe një klimë investimesh tërheqëse, sidomos në fushën e energjisë së pastër”, thuhet tutje në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme