Gërvalla paralajmëron ashpërsim të Serbisë ditëve të ardhshme: Kemi takuar ambasadorët e QUINT-it

19:28 | 17 Prill 2024
E.H

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po i jetëson kërcënimet e tij e se veprimet e Serbisë, e cila ka ndalur qytetarët kosovarë në kufi për disa orë, bazohen në ditën e djeshme, kur Kosova mori aprovimin e Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Evropës (KiE) për anëtarësim.

Gërvalla tha se së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë takuar ambasadorët e QUINT-it, prej të cilëve kanë kërkuar një veprim të unifikuar.

“Kosova nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE) mori aprovimin se Kosova i plotëson kushtet për anëtarësim në KiE. KiE është ajo organizatë evropiane ndërkombëtare që i adreson nevojat e qytetarëve për drejtësi. Për të arritur deri në ditën e djeshme, kemi pasur qindra takime me qindra përfaqësues”, deklaroi Gërvalla.

“Po flasim për 82% të votave ditën e djeshme që është një konfirmim i rëndësishëm se Kosova ka bërë progres në sundimin e ligjit, të drejtat e qytetarëve dhe komuniteteve jo-shumicë. Dy prej mesazheve që ja vlen të përmenden nga dje janë që Kosova në bazë të raportit duhet të anëtarësohet si shtet dhe jo si vend, si dhe do të hiqet fusnota. Ishte një konfirmim i fuqizimit të subjektivitetit tonë”, u shpreh ajo raporton eo.

Gërvalla ka thënë se Serbia e ka shkelur sot Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes, pas dështimit të propagandës së presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Këshillin e Evropës.

“Një veprim i tillë ka një arsye që bazohet në ditën e djeshme. Jemi dëshmitarë të deklaratave të presidentit serb, i cili ka kërcënuar jo vetëm Kosovën por edhe shtetet e tjera që do të votonin pro anëtarësimit të Kosovës në KiE”, tha ministrja.

“Dje nuk eci as presioni as propaganda në atë seancë Vuçiq ka filluar t’i jetësojë kërcënimet e tij. Në këtë kontekst e shohim ndalim e udhëtarëve jo vetëm në autobus po edhe veturave, dhe ndalimin e shumë zyrtarëve të Policisë. Nga bisedat direkte me udhëtarë dhe përfaqësuesin e Kosovës në Serbi, e dimë që janë shkelur masivisht të drejtat e qytetarëve. Ata u janë nënshtruar edhe bisedave informative, si qëllim që të flitet për vitin 99 dhe UÇK. Bashkë me ministrin Sveçla kemi takuar ambasadorët e QUINT-it dhe i kemi informuar për atë që po ndodhë dhe kemi kërkuar qasje demokratike”, ka thënë Gërvalla.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme