Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka akuzuar opozitën se ka zgjedhur ditën për të diskutuar rreth MPJD-së pikërisht në kohën kur ajo dhe kryeministri Albin Kurti janë jashtë vendit.
Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Gërvallla theksoi se nuk i ik asnjë debati dhe asnjë hetimi teksa shtoi se mezi pret që të flas për keq menaxhimet, përcjell Arbresh.info.
Gërvalla dhe Kurti kanë udhëtuar mbrëmë për në New York, ku sot, pritet të marrin pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Lexo edhe:
Postimi i plotë i Gërvallës:
Ndërkohë që së bashku me Kryeministrin Kurti jemi nisur për Nju Jork, ku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të ballafaqohemi me Aleksandar Vuçiçin dhe sulmet, gënjeshtrat, propagandën e tij ndaj Kosovës, qytetarëve dhe institucioneve të saj, opozita paska zgjedhur pikërisht ditën e sotme për të debatuar rreth Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke refuzuar propozimin për shtyerje të kësaj pike të rendit të ditës deri në seancën e ardhshme.
Meqenëse detyra ime ma kërkon që sot të jem në Nju Jork dhe nga pamundësia që të jem e pranishme në atë seancë të Kuvendit, dua të përcjell mesazhin që jo vetëm që nuk i shmangem asnjë debati dhe asnjë hetimi, por mezi po pres që të flasim edhe për keqmenaxhimin e parasë publike edhe për punësimet e jashtëligjshme, familjarizmin dhe shkeljet konstante të ligjit në këtë ministri. Mezi po pres!
Duke mos dashur të merremi me të kaluarën, si qeveri e re kemi kryer reformën më të thellë në këtë institucion të rëndësishëm të Republikës, duke vendosur në çdo segment si kriter të vetëm ligjin, profesionalizmin dhe meritokracinë dhe duke vënë në binarë të duhur kontrollin e financave dhe parasë publike si dhe llogaridhënien në çdo fushë, si brenda ministrisë, ashtu edhe në misionet tona diplomatike jashtë vendit.
Ka vdekur koha e pazareve dhe emërimeve të ambasadorëve dhe konsujve nëpër kafene, telefonata të stilit pronto dhe në oda, të shpenzimeve marramendëse për udhëtime dhe hotele, të shitjes së pasaportave nëpër stacione trenash dhe pika karburanti, të sorollatjes me pasaporta dhe targa diplomatike dhe lloj-lloj malli nëpër ato vetura, të tonit harbut ndaj qytetarëve nëpër konsullata.
Për të gjitha këto mezi po pres të flasim edhe në Kuvend por edhe në publik. Qytetarët e Republikës së Kosovës meritojnë të dijnë se nga kush dhe si janë përfaqësuar vite me radhë jashtë vendit./Arbresh.info
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...
Shkon në 94 numri i të vdekurve nga cikloni në Mozambik