Google ADS

Gërvalla në Maqedoninë Veriore, pritet nga Xhaferi dhe Grubi

18:50 | 24 Mars 2022
L G

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ministrja Gërvalla fillimisht ka takuar Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, shkruan arbresh.info.

“Duke theksuar që marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera, Ministrja vuri në pah që me Kryetarin Xhaferi ka biseduar edhe rreth mbështetjes që Maqedonia e Veriut mund t’ia japë Kosovës në proceset e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, NATO dhe në BE”, thuhet në njoftim.

Kryeparlamentari Xhaferi, është shprehur i hapur për mbështetje.

“Shprehëm kënaqësinë e ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet dy vendeve tona që karakterizohen me mbështetje dhe respekt të ndërsjellë, dialog të hapur dhe konstruktiv”, është shprehur Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi.

Gërvalla është takuar gjithashtu me zëvëndëskryministrin e parë, Artan Grubi.

“Në fokus të takimit mes Ministres Gërvalla dhe Zëvendëskryeministrit të Parë të Maqedonisë Veriore, Artan Grubi, ishte thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes dy vendeve, me theks të veçantë mbi zbatimin e 11 marrëveshjeve të nënshkruara për bashkëpunim, në seancën e parë të përbashkët qeveritare të mbajtur në Shkup në shtator të vitit të kaluar”, njofton MPJ.

Në këtë drejtim, u dakordua edhe për formimin e ekipit të përbashkët për ndjekjen e zbatimit të këtyre marrëveshjeve.

Zëvendëskryeministrat Gërvalla dhe Grubi gjithashtu diskutuan edhe për organizimin e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive, e cila këtë herë do të mbahet në Kosovë.

Nga të dy palët u dënua gjithashtu agresioni rus ndaj Ukrainës dhe u shpreh solidaritet dhe bashkërenditje e plotë me politikat e sigurisë dhe të jashtme të NATO-s dhe BE-së./arbresh.info/

Të ngjashme