Në vazhdimin e intërvistës dhënë portalit Arbresh.info, Donika Gërvalla flet për deputetët e LDK-së të cilët e mbështesin atë, për ndikimin që këto ngjarje sjellin tek dega e LDK-së në Gjermani, për fondin e 3 përqindëshit, mënyrën se si u keqpërdor ky fond dhe për fundosjen ose ecjen përpara të LDK-së.
Lexo pjesën e parë të intervistës KËTU
Arbresh.info: Cilët janë deputetët që po iu mbështesin nga LDK-ja?
Donika Gërvalla: Që në start ky koalicion ka hasur në radhë të parë rezistencë masive në popullatë, ka shkaktuar eksodin më të madh të mundshëm. Është e vazhdueshme rezistenca e një pjese të deputetëve të LDK-së ndaj vendimeve të partisë, shpesh rezistencë e hapur e shpesh nëpër degë ose në grup parlamentar. Pa dashur të përmend emra Isa Mustafa le të forcohet mirë së bashku me Agim Veliun, me Ismet Beqirin, e Lutfi Hazirin, e gjithë kjo kastë e tyre që e simbolizon këtë degjenerim total të LDK-së ata le të shtrëngohen mirë pasi që përkrahja në anëtarësi për rrymën reformuese brenda LDK-së është jashtëzakonisht e madhe dhe nuk mundet as Isa Mustafa dhe as ata që i shantazhojnë njerëzit ta ndaloj sepse kjo nuk do të funksionojë më. LDK është parti masive dhe në momentin që ndizet shkëndija është e pandalshme.
A do të ketë ndonjë ndikim kjo që po ndodh në LDK në degën në të cilën ju përfaqësoni?
Donika Gërvalla: Kam mesazhe të shumta nga aktivistët në mërgatë dhe atje zemërimi është i jashtëzakonshëm. Nuk është skenë e bukur për askënd të shohë një kryetare të zgjedhur në formë legjitime ku kemi qëndruar nga 9 orë në kuvend për ti kryer zgjedhjet tona. Unë do t’i pyesja konkretisht në LDK rreth zgjedhjeve në Gjermani do t’i thosha cili person e ka shqyrtuar dokumentacionin që është dorëzuar nga dega e LDK-së në Gjermani? Cila është kritika konkrete? Cila parregullsi është identifikuar në ato zgjedhje? Por në mënyrë paushall të thuash se zgjedhjet që janë bërë atje janë të parregullta nuk shkon sepse ne jetojmë në një shtet ligjor. Unë e kam paditur Isa Mustafën dhe Ismet Beqirin në prokurori ndër të tjera për pengim në ushtrimin e detyrës zyrtare dhe të të drejtave që rezultojnë nga statuti. Do të doja shumë që një gjykatë ta shqyrtojë dokumentacionin lidhur me këtë pikë sepse nuk është në rregull. Unë nuk jam e gatshme të hyjë në zgjedhjet e reja pa e ditur se ku qëndron gabimi i zgjedhjeve të vjetra. Jam e gatshme të ulemi në tavolinë dhe të dyja palët të bisedojmë ta gjejmë defektin dhe nëse ka do të hyjmë në zgjedhje pa asnjë problem.
Në kohën sa Isa Mustafa nuk ishte kryetar i kësaj partie flitet edhe për keqpërdorimin e fondit të 3 përqindëshit. A është kjo edhe një arsye tjetër që të reagoj ndaj jush pasi që ju përfaqësoni një pjesë të diasporës?
Donika Gërvalla: Ka një defekt në këtë çështjen e 3 përqindëshit, mungon një raport i detajuar rreth të hyrave, të dalave të mjeteve financiare, sa kanë mbetur dhe për çfarë janë shfrytëzuar ato. Mbi 50 milion mbas çlirimit të Kosovës janë sjellë në Kosovë, pra mungon një raport i detajuar i Kuvendit të Republikës së Kosovës çka ka ndodhur me ‘Dardania Bankën’, kush e ka themeluar, për çfarë arsye, sa mjete kanë kaluar në të dhe cili është statusi i saj aktual. Për çdo sipërmarrje të vogël që punëson tre njerëz ky shtet kërkon llogari a është paguar tatimi dhe obligimet e tjera ligjore. Edhe për këtë fond që është djersa e atyre njerëzve e në të cilin kanë kontribuar njerëz që kanë jetuar me 400 marka në muaj, që kanë marr ndihma sociale duhet të ketë një korrektësi të jashtëzakonshme deri në centin e fundit se ku janë përdorur ato mjete. Ka njerëz që thonë se ka konto të hapura nga të cilat ende tërhiqen të holla dhe këtë duhet ta dijë opinioni a është e vërtetë apo jo. Poashtu të tjerë thonë që janë hapur hetimet edhe në Tiranë me kërkesë të Prishtinës ndaj Bujar Bukoshit dhe të tjerëve rreth çështjes së fondeve. Është një përgjegjësi e madhe ndaj të gjitha atyre mjeteve që janë mbledhur. Unë kam lexuar një raport ku ka raportuar Bujar Bukoshi pranë kuvendit dhe ai është një raport i mangët sa që nuk do ti bënte nder asnjë shoqate joqeveritare. Ky opinion në Kosovë ka një të drejtë të patjetërsueshme që ta dijë se çka ka ndodhur me ato të holla dhe është një shancë për Isa Mustafën, Bujar Bukoshin dhe të tjerët që ta dëshmojnë që përdorimi i mjeteve të mbledhura ka qenë ashtu për çka janë dhënë pra për luftë, për shkolla. Poashtu duhet të dihet kush i ka marrë vendimet nga struktura politike për ato mjete? Një gjë që duhet të dihet është se ai ka qenë fond qeveritar, pra të gjithë kanë thënë se ky është tatimi që po e paguajmë për shtetin tonë. Është dashur të mos dalë asnjë cent nga ai fond pa miratimin e komisionit buxhetor të kuvendit të Kosovës.
Si e shihni të ardhmen e LDK-së?
Donika Gërvalla: LDK-ja ndodhet para greminës, dhe është shumë reale kjo. Tash pyetja është a do ta bëjë LDK hapin drejt greminës dhe në një periudhë jo shumë të gjatë LDK-ja do të pushoj së ekzistuari sepse në momentin që ti e humbet besimin e votuesve tu, ti je një element në skenën politike, por LDK-ja mund të shuhet përfundimisht ose do të arrijë që të fillojmë të bëjë hapa prapa që t’i largohemi greminës përfundimisht. Të gjithë miqve që po përpiqemi së bashku që të bëjmë një lloj reforme ose kthimi të LDK-së aty ku e ka vendin iu them që ky nuk është një sprint 100 metra por reformimi i LDK-së është maratonë e cila kërkon kohë, angazhim dhe mbi të gjitha kërkon sinqeritet. Duhet ti bindësh ata njerëz që janë në teren që të besojnë prapë në këto tri shkronja. LDK tani ndodhet në udhëkryq këndej ose andej. Me Isa Mustafën, Ismet Beqirin, Agim Veliun, Lutfi Hazirin dhe këtë strukturë LDK-ja përfundimisht shkon drejt shkatërrimit të saj total sepse nuk mund të pritet nga varrmihësit e LDK-së që të bëjnë reformën kështu që ne do të punojmë në teren shumë dhe të përpiqemi ti ngjallim strukturat që kanë vdekur në ndërkohë dhe, besoj që në mos në zgjedhjet parlamentare që po presim të gjithë së bashku, atëherë në zgjedhjet që do të vijnë të tjerat LDK do të jetë përsëri forca e parë politike në këtë vend./V.Berisha/Arbresh.info
Yamal: Nuk ka rëndësi kush është në finale, ne duam titullin
Deklaratat e Trump për Groenlandën, OKB: Sovraniteti dhe int...
Mbi 1.5 milion njerëz mbesin pa energji elektrike në Kalifor...
Gjesti fut dy produksionet në “sherr”- BBVK paralajmëruan se...
Napoli interesohet për Zhegrovën, mirëpo Lille nuk e lëshon ...
Katër thasë me monedha ari dhe argjendi gjenden të fshehura ...