Gërvalla lobon për anëtarësimin e Kosovës në KiE, u shtron mëngjes ambasadorëve

16:38 | 23 Qershor 2022
E.H

Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Donika Gërvalla, i ka mirëpritur për mëngjes ambasadorët e shteteve anëtare të Këshillit të Europës në Strasburg.

Ajo u tha ambasadorëve se Kosova e meriton të jetë shteti i radhës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

“Një mëngjes shumë produktiv. Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla shtroi një mëngjes për ambasadorët e shteteve anëtare të KiE. Pati shkëmbime të dobishme. Të qenit i hapur dhe i guximshëm është e para. Si një vend i vërtetë europian dhe demokratik, Republika e Kosovës meriton të jetë anëtarja e radhës me të drejta të plota në KiE”, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.

Në Strasburg, Gërvalla ka takuar edhe presidentin e Asamblesë Parlamentare të KiE, Tiny Kox, me të cilin tha se pati një diskutim të mirë për aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin Evropian./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme