Konsulli i Republikës së Kosovës në New York, Lulzim Krasniqi, të mërkurën ka njoftuar se është shkarkuar nga ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Përmes një letre, Krasniqi ka thënë se vendimi i Gërvallës për shkarkim nga Shërbimi i Jashtëm, bazohet në urrejtje dhe në paranoja.
Ai ka përmendur një rast gjatë vizitës së ministres në zyrën e tij në New York, duke thënë se i kishte kërkuar ta hiqte nga zyra flamurin e UÇK-së, për të cilin kishte refuzuar.
Ndaj Krasniqit ka reaguar ministrja Gërvalla.
Gërvalla, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se ka premtuar meritokracinë dhe profesionalizmin si kriter të vetëm për punësim në institucionet e Republikës, dhe këtë gjë po e bën si ministre.
E sipas saj, asgjë më shumë e asgjë më pak nuk është duke ndodhur në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Për këtë flet edhe konfirmimi i vendimeve tona nga ana e instancave të ankimimit”, tha ajo.
Po ashtu Gërvalla ka folur edhe për punësimet e tjera në MPJD të cilat i ka quajtur të jashtëligjshme e ilegale.
Ajo ka paralajmëruar edhe gjetje të tjera të cilat ka thënë se së shpejti do të shfuqizohen.
“Prandaj, punësimet ilegale, të jashtëligjshme në këtë ministri, të bëra në të kaluarën, janë shfuqizuar. Nëse ndërkohë do të konstatohen të tjera, të cilat ende nuk kanë dalë në pah, edhe ato do të shfuqizohen. Nuk ka gënjeshtër, përrallë, shpikje, presion apo kërcënim që e ndal reformën e domosdoshme institucionale”, tha Gërvalla.
Tutje tha se nepotizmi dhe punësimet e paligjshme e kanë dëmtuar rëndë diplomacinë.
“Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe meritokraci në punësim, vlerësim të punës, ngritje në pozitë, dërgim jashtë vendit. Kjo është formula e një funksionimi më të mirë të MPJD-së dhe e një përfaqësimi më dinjitoz të Republikës së Kosovës jashtë vendit”, ka shkruar Gërvalla.
Ndërkaq pas shkarkimit, konsulli Krasniqi ka paralajmëruar ankim në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës.
“Me këtë rast, kundër vendimit tuaj arbitrar e tendencioz do të ankohem në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, derisa betejën legale e ke të humbur, aty ose në gjykatë, i cili institucion, bashkë me institucionet tjera të vendit, janë krijuar me mund e me sakrificë”, ka thënë Krasniqi.
Duhet theksuar se Gërvalla, në mars të këtij viti, po ashtu kishte shkarkuar një grup prej 10 zyrtarëve të Shërbimit të Jashtëm.
Sipas arsyetimit të ministres, personat e liruar nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar.
“Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”, kishte thënë Gërvalla.
Të shkarkuarit, Lulzim Rifaj, Mitat Fejza, Bahrije Hoti, Rrahim Morina, Binak Berisha, Shota Bukoshi, Adnan Dragaj, Enver Bucaj, Blerim Canaj, e kanë kundërshtuar fuqishëm vendimin e ministres Gërvalla.
Ata, të martën përmes avokatit të tyre Hajzer Salihu, kanë dërguar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, respektivisht kundër vendimit A. nr 365/2022 të dt.10.06.2022, ku njëkohësisht kanë kërkuar edhe shtyrje të ekzekutimit të vendimit në fjalë./arbresh.info/
Swica: SHBA e interesuar të thellojë bashkëpunimin me Kosovë...
Xheneta akuzon Rovenën për fshehjen e gjësendeve të saj
Pushimi i hetimeve ndaj Bujës, Hodaj: Kishte seanca private ...
Abdixhiku: Do të investojmë 500 milionë euro për centralin m...
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...