Google ADS

Gërvalla i del në krah ministrit të Shëndetësisë: E heq kapelen para Arben Vitisë

07:16 | 27 Gusht 2021
S D

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla i ka dalë në mbrojtje ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, pasi deputeti i Listës “Guxo”, ku bënë pjesë edhe Gërvalla, ka kritikuar ashpër çasjen e tij ndaj pandemisë, duke kërkuar edhe dorëheqje.

Përkundër që sot u konfirmuan 18 vdekje dhe rreth 2300 raste të reja me COVID-19, Gërvalla ka përgëzuar Vitinë për punën që po bënë për pandeminë.

“Heq kapelen para kolegut tim, Arben Vitia. Me përkushtimin, profesionalizmin, zellin, modestinë dhe qetësinë që e karakterizojnë, Arben Vitia menaxhoi në mënyrë shembullore sfidat me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë pandemisë. Shumë nga afër i kam përcjellur betejat e tij të shumta, të vogla dhe të mëdha, në Kosovë dhe jashtë saj, për sigurimin e vaksinave kaq të nevojshme për Kosovën”, shkroi Gërvalla.

Tutje thotë se është e sigurt që edhe këtë sfidë do ta kalojnë së bashku.

“Varianti i ri i virusit dhe rritja e madhe e rasteve të reja e ka vënë të gjithë botën para një sfide. Numri i rasteve tragjike po na trondit të gjithëve çdo ditë e më tepër. Përvoja edhe e shteteve të tjera tregon se shtrëngimi i masave dhe përshpejtimi i vaksinimit janë rrugëdalja e vetme”, u shpreh ajo.

Më herët deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Karameta, i cili është pjesë e Listës “Guxo”, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë madje se ai duhet të kërkojë falje për dështimet në punën e tij.

Ai akuzuar Vitinë se “i ka humbur koncentrimi për t’u marrë me çështje ministrore”./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme