Google ADS

Gërvalla: Dronët e konfiskuar dhanë dëshmi për përfshirjen e Serbisë në sulmin e 24 shtatorit

23:01 | 1 Tetor 2023
E.G

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka reaguar pas pamjeve të publikuara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Me anë të një postimi në X, Gërvalla  ka thënë se dronët e sekuestruar nga grupi terrorist kanë dhënë dëshmi të tjera për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë në sulmet kundër Republikës së Kosovë, shkruan Arbresh.info.

“Dronët e sekuestruar nga grupi terrorist kanë dhënë dëshmi të tjera për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë në sulmet kundër Republikës së Kosovës.”, shkroi Gërvalla.

“Pamjet me dron zbulojnë se grupi terrorist u trajnua në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të Ushtrisë Serbe, si dhe në bazën e Kopaonikut. Është evidente se sulmet janë orkestruar me mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb”, ka shtuar Gërvalla.

Tutje, ministrja e Jashtme ka kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë vendosjen e sanksioneve ndaj regjimit të Vuçiqit

“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të vendosë sanksione ndaj regjimit të Vuçiqit. Serbia duhet të mbajë përgjegjësi dhe të përballet me pasoja. Vetëm sinjalet e qarta kundër regjimit të Vuçiqit do të ndalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë që të mos e nënvlerësojnë më rrezikun e madh.”, shtoi ajo.

Ndryshe,  një javë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku u vra, heroi Afrim Bunjaku, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Kolonel Gazmend Hoxha kanë mbajtur konferencë për media ku kanë shpalosur detaje të reja lidhur me gjetjen në vazhdimësi të armëve të ndryshme, organizimin, trajnimin dhe përgatitjen e grupit terrorist në malet e Serbisë, për të sulmuar territorin dhe Policinë e Kosovës./Arbresh.info

Lexo edhe:

Policia publikon dëshmitë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë

Të ngjashme