Dëshmitari Fadil Geci tha se ka biseduar me Mehdi Bardhin lidhur me ngjarjen që i kishte ndodhur këtij të fundit kur kishte shkuar në Qirez, ku pretendohet se delegacioni i partive politike shqiptare ishte keqtrajtuar nga persona, duke përfshirë edhe Hashim Thaçin.
Dëshmitari u pyet se çfarë bëri konkretisht Thaçi në Qirez sipas asaj që ka thënë Mehdi Bardhi dhe ai tha se personazh kryesor atje ishte vetë tashmë i akuzuari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Personazhi kryesor në Qirez ka qenë Hashim Thaçi. Çfarë i bëri, ai e ka edhe në libër. Mua më tha që jem të maltretum. E dove iu ka qit birra e pula. Ka ba mirë që iu ka qit birra e pula qatyne”, tha Geci.
Sa i përket pjesës së ‘birrave e pulave’, Geci tha se në Hagë e kishte thënë një gjë të tillë Gjergj Dedaj.
“Këtu një veprimtar që ka thanë se birra edhe pula na kanë qit, mirë është ajo farë pune, m’u ga nerim i madh. Gjergj Dedaj e ka thanë po më doket. Ai e din. Më mirë e din ai”, tha Geci.
Tutje, Geci u pyet se a i ka maltretuar me duart e veta Thaçi këta persona në Qirez.
“Jo në Qirez, po aty ku i kanë çu në Baicë a ku i kanë çu. Në Qirez vetëm i kanë ndalu. Kurse, në Baicë i kanë çu edhe atje kanë pas maltretime”, tha Geci, duke shtuar se Sanije Aliu nëse dëshiron mund ta thotë të vërtetën pasi ka qenë prezent aty në Qirez.
Dëshmitari tha se Mehdi Bardhi nuk i ka thënë që i ka qit Thaçi pula. Si rrjedhojë, gjyqtari tha se nuk është i interesuar për pulat, por për atë që i ka thënë Bardhi dëshmitarit lidhur me këtë rast dhe përfshirjen e Thaçit në këtë situatë.
“Rrahjet i kemi pasur prej zotit Thaçi. kështu më ka thanë Mehdi Bardhi mu. A ka shtu, a s’ka shtu. A u kanë qashtu? Ai e din vetë se unë s’jam kanë, por mua më ka thanë qeshtu”, tha Geci.
Po ashtu, Geci u pyet se kush ishte pjesëmarrës në atë grup që kryen rrahjen e pretenduar në Baicë.
“Aty ishte edhe Sabit Geci, por kryesori që e ka marrë përgjegjësinë, me i pyet, me i ngjoftë, me i ditë ka qenë Hashim Thaçi. Edhe Gani Koci ka qenë që i ka njoftë mirë ata persona”, tha dëshmitari.
Veç tjerash, Geci tha se Mehdi Bardhi ka mendu që Gjergj Dedaj është maltretuar duke menduar se është një person me emrin Rexhep Gjergji, i cili sipas tij ka qenë i LDK-së.
Kur ishte tema tek Cen Desku dhe Jakup Kastrati, dëshmitari tha se ata kanë thënë që Hashim Thaçi ishte pas asaj që iu kishte ndodhur atyre.
Ai u pyet edhe për një deklaratë të dëshmitarit ku kishte thënë se është në dijeni të shumë rasteve kur personat që janë vrarë më pas janë shpallë heronj.
“Ai rast është Haki Imeri. Rasti i Haki Imerit është. Është vra dhe është shpall hero. Tash kush është tradhtar? A është tradhtar vrasësi a heroi? Një kohë është quajt tradhtar tani është quajt hero. Ai ka qenë vërtetë hero, por pse me u quajt tradhtar edhe pse me u vra?”, tha Geci.
Dëshmitari u pyet se a ka dëgjuar që ka pasur një dokument që është lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ku thuhet se komunikata 59 nuk është lëshuar nga ata.
“Nuk kam dëgju. I nderuar gjykatës, pasojat kanë qenë se dy meshkuj më të mirë të Drenicës janë vra. Janë vra. Njëri i ka lënë dy vajza e njëri ka pas me u martu edhe një javë-truproja e presidentit. Dy vëllezërit e mi rëndë janë të plagum, Zoti i ka shpëtu. Pasoja e komunikatës 59”, tha Geci.
Përpara kësaj, dëshmitari u mor në pyetje edhe nga mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis.
Dëshmitarit Geci iu prezantua një deklaratë e cila është marrë nga një dëshmitar që sipas Ellis quhet Hajriz Zeqiraj.
“Thuhet si më poshtë; Adem Salihu më tha që do të më jepte 50 mijë euro më shumë domethënë… mijë euro në qoftë se unë do të bëja deklaratë me shkrim, me nënshkrimin tim dhe ta bëja me incizim CD duke folur unë në atë CD. Unë e pyeta se çfarë duhet që unë të thoja. Ndërkohë që ai m’u drejtua duke më thënë që ti ki me dhënë deklaratë lidhur se gjoja unë kam dashur që ta mbys Adem Salihun sepse më ka paguar dikush për vrasjen e tij”, lexoi Ellis këtë deklaratë të këtij dëshmitari.
Si rrjedhojë, Ellis e pyeti dëshmitarin se a ka dëgjuar për raste të tilla ku njerëzit kanë ofruar ryshfet për dëshmi të rreme lidhur me krime kundër anëtarëve të LDK-së.
“Sa i përket Adem Salihut qitash betohna se është rrenë edhe e montume. Adem Salihu është një personalitet shumë i fortë edhe kjo është montim për me e hjek orientimin për me mujt me thanë që ka edhe këso. Gjithçka kanë mujtë me ba. Adem Salihu është një djalë i fortë dhe i pathyeshëm dhe kurrë nuk ka bë kështu dhe nuk bën. Tash para juve po betohem që është qajo qashtu, unë e marr përsipër dhe e marr përgjegjësinë. Rrenë është. E montume është”, tha Geci.
Ai shtoi se Adem Salihu është personalitet i fortë që kundërshtarët janë munduar me çdo formë që ta thyejnë.
Më kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar edhe nesër në mëngjes me dëshminë e këtij dëshmitari.
Fadil Geci- avokatit të Jakup Krasniqit: E ke bërë lëmsh, krejt out je
(Përditësuar, ora 16:43)- Dëshmitari Fadil Geci gjatë dëshmisë së dhënë të martën në Hagë, i tha avokatit të Jakup Krasniqit, Aiden Ellis se e ka bërë lëmsh dhe është ‘out’ prej asaj se çfarë është çështja gjatë kundërpyetjeve të tij.
Madje, Geci tha se gjërat që po i thoshte Ellis nuk janë të vërteta dhe se i ka ngatërruar ato, raporton “Betimi për Drejtësi“.
E gjithë kjo ndodhi për shkak të një artikulli të një medie, i cili thoshte se “zëvendësi i partisë opozitare LDD, Gani Geci tha që urdhrat për të vrarë Agim Veliun janë dhënë nga LDK dhe për Adem Salihun nga Lidhja Demokratike e Dardanisë”.
Tutje, Ellis theksoi se në artikull shkruhet se “duke iu drejtuar Parlamentit ai (Gani Geci) thotë ‘unë kam provë për këtë dhe i nderuar kryetar i Parlamentit ju nuk jeni. Megjithatë, në Qeveri kemi burra që kanë urdhëruar vrasjen e deputeteve, kolegëve tanë”.
Si rrjedhojë, avokati Ellis pyeti dëshmitarin se a ka informacion lidhur me këtë incident ku është raportuar në Parlamentin e Kosovës.
“Krejt out jeni. Krejt këto nuk janë deklarata që duhet me u merr me to. S’është e vërtetë hiç, qitash po të them çka po thu s’është e vërtetë se kurrë se prej Lidhjes Demokratike ka dhënë urdhër dikush. As nuk është e vërtetë që ka dhanë. E ki gabim. E ki ngatërru. Krejt e ke ngatërru,, e ke ba lëmsh. Hiç s’është e vërtetë kjo zotri gjykatës. Krejt out është e as s’po e kuptoj se çfarë po thotë. Krejt e ka ba guzhum e s’po ka kurrfarë kuptimi”, tha Geci.
Avokati i Krasniqiti lidhur me këtë tha se me gjasë ka problem përkthimi, duke lexuar sërish artikullin.
“Ajo çka tha me këtë çka po thotë është krejt si nata me ditë. Është e vërtetë që Agim Veliu, një personalitet është plagu prej dikujt dhe Adem Salihaj është tentu me u vra prej njerëzve, por jo veç ata, por janë edhe disa tjerë që është tentu. Të gjithë ata që kanë qenë pengesë e proceseve aty janë mundu me i shkatërru. Ato dy figura kanë qenë figura që kanë pas ndikim dhe është mendu me i frigu dhe s’kanë mujtë me i frigu, e kanë tentu me i hjek krejt”, tha Geci.
Ndërsa, më pas Ellis vazhdoi sërish me leximin e artikullit, ku thuhet se “Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi mohoi kërkesën duke pretenduar që prova e pretenduar duhet të dërgohet në Polici. ‘Prova do të duhet që të çohet në Zyrën e Prokurorisë dhe se Parlamenti nuk është gjykatë’, thotë z. Krasniqi”.
Dëshmitari tha se “bravo i qoftë Krasniqit” se shumë mirë ka thënë kur e ka orientuar Gani Gecin që provat t’i dërgojë në Polici.
Ndryshe, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Geci tha se e di që Shukri Buja dhe Ramë Buja janë vëllezër, por që kontakte kishte vetëm me këtë të fundit.
“E di që është vëlla po lidhje nuk kam me ata. Me Ramën gjithë, e me Shukrinë kurrë”, tha dëshmitari.
Më pas, dëshmitarit Geci iu prezantua një deklaratë e Shukri Bujës, e cila fliste për një periudhe kohore në fund të marsit apo në fillim të prillit 1999.
“E pyesin: A ishte plagë serioze ajo që kishte vëllai. Shukri Buja thotë: Po ai ishte i plagosur këtu dhe me gisht tregon qafën poshtë mjekrës. Nuk e di nëse ishte në anën e majtë apo të djathtë. Pyetje; Si e keni ditur që ai ishte i plagosur? Përgjigje; ne ishim së bashku kur ndodhi kjo. Ne ishim duke i vizatuar pozitat tona bashkë më Fatmir Limajn. Ishin disa ushtarë të cilët i kishin zënë pozicionet e veta. Ndodhën të shtëna dhe Rama u plagos. Ne e tërhoqëm shumë shpejt dhe ishim të detyruar ta bartim deri në spital. Ne dhe ushtarët e tjerë e bartëm atë me makinë dhe e dërguam deri në spital”, lexoi deklaratën Ellis.
Ai vijoi sërish me leximin e kësaj deklarate, në të cilën Shukri Buja tregonte se në këtë rast kishte pësuar disa mavijosje.
“Pyetja është; A është plagosur edhe dikush tjetër gjatë të shtënave?, përgjigja: Unë kam pësuar disa të mavijosura, nuk kisha plagë. Mendoj se isha goditur nga fragmentet e municionit apo të plumbit”, tha Ellis teksa lexoi deklaratën e Shukri Bujës dhënë në një gjykim tjetër.
Më pas, dëshmitari tha se dëshiron që të jetë e verteta ashtu siç ka thënë Shukri Buja, mirëpo vëllai i tij, Ramë Buja i ka thënë atij gjëra tjera.
“Ishalla është qashtu. Ai mu m’i ka thanë qito. Unë ma qef kam me kanë qysh po thu ti se ajo që ai më ka thanë mu. Ai mu m’i ka thënë e ai është gjallë. Vetë m’i ka thanë në zyre. Inshallah del që është ashtu se unë nuk kam qef, asgjë e keqe mes vete me dalë. Ai e din e le të del le të deklarohet se a më ka thanë a nuk më ka thanë”, tha Geci.
Avokati Ellis- Gecit: Po e përdorni gjykatën për deklarata politike
(Përditësuar, ora 15:02)- Avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis i tha dëshmitarit Fadil Geci se po e përdor gjykatën për deklarata politike.
“Unë po ju them juve që po e përdorni këtë gjykatë për të bërë deklarata politike”, tha Ellis.
Kjo deklaratë e avokatit Ellis erdhi pasi dëshmitari tha se njerëzit janë kërcënuar e janë vratë për ta shuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Bardhyl Mahmuti e ka sulmu LDK-në me krejt fuqinë, kundërshtar të LDK-së, komplet ekipi e edhe ai person. Kurrgjë këta nuk kanë pas të bëjnë me LDK-në. LDK-ja për këta u kanë pengesë për me marrë frymë dhe kanë dashët me i likuidu të githa pengesat që i kanë pas. Në Drenicë, katër bashkësi lokale ma të mëdhaja, Xhafer Behrami është vra- drejtor i shkollës e kryetar i nëndegës. Haki Imeri- sa u kanë Haki Imeri, dy fakultete s’ka pas parti tjetër atje. Bahtir Kastrati është kërcenu me jetë. Ismet Rrahmani, themelues i Akademisë së parë ushtarake në Aqarevë është vra”, tha Geci.
Ai shtoi se janë kërcënuar njerëz të tjerë për ta shuar LDK-në, e për “me ecë tjetri organizim”.
Geci tha se persona të caktuar duke përfshirë edhe të akuzuarit, me luftën për pushtet e kanë dëmtuar Kosovën.
“Me luftën për pushtet kanë gabu e i kanë ba dëm Kosovës. Më mirë është kanë me i njoftë institucionet, me e njoftë shtetin e me luftu”, tha Geci derisa u ndalua nga avokati Ellis.
Për Ramë Bujën, dëshmitari tha se ka qenë kryetar i degës së Lipjanit në kuadër të LDK-së, por që sipas tij ai ka qenë marksist-leninist.
“Një djalë i mirë, i mençur e me tana të mirat, por marksist-leninist ka qenë edhe është qashtu hale. Shumë e respektoj edhe m’don edhe e du, po qashtu është”, tha Geci.
Geci për Jakup Krasniqin: Ka përshëndetë me grusht, qashtu qysh është apet e du
(Përditësuar, ora 14:30)- Fadil Geci tha se ka shumë respekt për Jakup Krasniqin, por që kanë pasur ideologji të ndryshme e që tashmë i akuzuari përshëndeste edhe me grusht.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit, përmes avokatit Aiden Ellis, dëshmitari tha se sërish e do të akuzuarin ashtu siç është.
“Shumë kam respekt. Unë e kam dashtë Jakupin, por ka pasur bindje tjetër dhe me grusht ka përshëndetë. E ka pas mendimin. Ideologji e ka, ideologji edhe nuk mun ja hjek, qashtu iu ka shpërla tru… Qashtu u kanë i mirë, qysh osht apet e du”, tha Geci,
Kush janë 16 banorët e parë të Big Brother VIP Albania 4
Drenusha-Sarës: Nuk ke ndjenja për Drilonin
“90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në TikTok”, Rama...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 200 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për v...
“Biletë kthimi e çek me para” – gjashtë avantazhet që ndodhe...