Qeveria e Kosovës është e gatshme që të nis procesin e hartimit të statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, konfirmojnë zyrtarët e ekzekutivit të vendit.
Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas kthimit të deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, zyrtarët e ekzekutivit presin që javën e ardhshme të diskutojnë me përfaqësuesit e kësaj liste edhe për kthimin e tyre në ekzekutivin e vendit.
Gjithashtu, sipas tij, pritet të diskutohen edhe mundësitë e ndryshimeve të kuadrove apo të individëve që do ta përfaqësojnë Listën Serbe në qeverinë e vendit.
“Sapo të ndodhë kjo, ne i kemi emrat e Grupit menaxhues, të katër serbëve, të cilët duhet të koordinohen me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, ku unë punoj si zëvendësministër, me ministrin e ri, të cilin do ta vendosë Lista Serbe. Pastaj, ky koordinim duhet të bëhet edhe me OSBE-në dhe Bashkimin Evropian, në mënyrë që ne të fillojmë punën në përpilimin e statutit (të Asociacionit), e cila punë, besoj që do të marrë një kohë. Pastaj, nëse ka nevojë, kur ta kemi një draft të statutit, atëherë këtë draft mund ta diskutojmë gjithashtu edhe në Bruksel”.
Më 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pati vlerësuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, çdo hartim i statutit të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me vendimin e saj dhe mund të bëhet vetëm pasi ta ketë vlerësuar sërish vetë kjo Gjykatë.
Zëvendësministri Gecaj, konfirmon se në fund të procesit, statuti i Asociacionit do t’i dërgohet sërish Gjykatës Kushtetuese.
“Pasi të përpilohet komplet statuti, ai statut, me një dekret të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese . Fjala përfundimtare në të do të jetë e gjykatës Kushtetuese”.
Përfaqësuesit e Listës Serbe, thonë se do ta vazhdojnë punën në Kuvendin e Kosovës, por ata nuk kanë dashur të japin ndonjë përgjigje lidhur me atë se a do të kthehen në qeverinë e vendit në javën e ardhshme, ashtu siç presin zyrtarët e ekzekutivit.
Tragjedia në Gjermani, e përsëritur/ Sulmet terroriste në 20...
Tensionet në orët e vona, Olta: Gjesti mund ta nxirrte Xuxin...
Sulmi në Magdeburg, ambasadori i Kosovës në Gjermani: Lutjet...
Sulmi në Gjermani/Begaj: Sulmi ndaj qindra njerëzve duhet të...
Tragjedia në Gjermani: Reagojnë liderët evropianë – dërgojnë...
Tragjedia në Magdeburg po trajtohet si sulm terrorist