Google ADS

Gazmend Muhaxheri për krizën me energjinë: ‘Kosova e re’ e kohës së Et’hem Çekut ishte i duhuri

00:12 | 23 Janar 2022
Trina Galanxhi

Kryetari i komunës së Pejës dhe nënkryetar i LDK-së në nivel qëndror Gazmend Muhaxheri, ka folur për krizën aktuale energjetike që po e përjeton Kosova në këto muaj.

I ftuar në ‘RADIO 1’, Muhaxheri që qeverisë me komunën e Pejës, ndërsa subjekti i tij LDK në nivel qëndror është opozitë, ka komentuar premtimet e kryeministrit Kurti për ulje të çmimit të energjisë në kohën sa ishte opozitar, përderisa tani si kryeministër po paralajmëron shtrenjtim të saj.

Muhaxheri në këtë pikë thotë se Kurti ka dëmtuar vetën duke tentuar që të bëhet kryeministër duke bërë opozitarizëm në çdo segment të jetës, me çdo kusht dhe pa bërë llogari logjike.

“Unë mendoj, se opozitarizimi me çdo kusht, është i dëmshëm edhe për vete, edhe për partinë por edhe për vendin. E kjo e fundit, (pra për vendin) është shqetësuese. Tani kur je brenda rezulton ndryshe.”-tha Muhaxheri.

Duke folur për temën e krizës energjetike në ‘RADIO 1’, Gazmend Muhaxheri i LDK-së, ka thënë se në mënyrë që Kosova në ditët e sotme të mos kishte situata krize energjetike, është dashur që në vitin 2005 të shtyhej para projekti energjetik i ministrit të atëhershëm të Energjisë dhe Minierave, Et’hem Çeku, për termocentralin ‘Kosova e Re’.

“Unë me sa mbajë në mend në vitin 2003-2005, ministri i atëhershëm i Energjetikës dhe Minierave, z.Et’hem Çeku ka paraqitur një program me të vërtet shumë ambicioz për zhvillimin e sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës, e që tash pas sa vitesh, 17 apo 18 vite, po shihet që ka qenë vizioni më i mirë dhe më i qëndrueshëm për të ardhmen energjetike të vendit. Pra kur e shikon prej perspektivës, edhe ne, që atëherë ishim në parti opozitare, kemi thënë jo, shumë po ndotet ambienti, jo kjo, jo ajo, mirëpo realiteti është që aty ka qenë bazament ajo çfarë e ke. Pra Kosova pasurinë më të madhe e ka pasur resursin e thëngjillit. Sikur të ishte ndërtuar Termocentrali në fjalë, ‘Kosova e re’, siç ishte planifikuar, edhe e di, ka pasur investitorë më serioz të mundshëm në botë nga kjo fushë, sot ndoshta kishim qenë fuqi energjetike në ballkan e që mandej na ishte mundësu një pozicion më i mirë edhe për negocim, edhe për të ardhmen e vendit e shtoja këtu edhe të hyrat që i kishim pasur të jashtëzakonshme nga energjia, tani kur është rritur çmimi i megavatit.”-tha Muhaxheri, raporton njeshi.com.

Muhaxheri mos realizimin e projektit energjetik ‘Kosova e Re’, tani fatkeqësisht e sheh si mundësi të humbur dhe të pakthyeshme.

“Tash me agjendat europiane ai resurs ekonomik që ka qenë atëherë, 14 miliard tonelata diku thëngjill, është i pashfrytëzueshëm dhe mbetet një resurs i vdekur që nuk ka me kontribu në zhvillimin ekonomik të vendit, e çka ndodhë, paralelisht prap kanë me vazhdu me funksionu termocentralet që ndotjen e kanë të njejtë.”-shtoi tutje Muhaxheri.

Ndryshe, vendimi për ndërtimin e një termocentrali të ri, me të cilin do të përmirësohej gjendja energjetikenë Kosovë, ishte marrë në vitin 2005, të qeverisjes LDK-AAK, Rugova-Haradinaj, e në krye të Ministrisë së Energjetikës dhe Minierave nga AAK, ishte vënë Et’hem Çeku, pararendës i Gazmend Muhaxherit në Pejë, duke qenë për një mandate të pasluftës edhe kryetar i komunës së Pejës.

Të ngjashme