Google ADS

Gazetari i New York Times: Hoteli Grand në Prishtinë s’është më i keqi në botë, por “bota është e madhe”

21:44 | 2 Mars 2018
Trina Galanxhi

Grand Hotel në Prishtinë në shumë faqe të internetit është përshkruar si “i neveritshëm”, “shkatërrues” dhe “i tmerrshëm”, thuhet në një artikull të New York Times.

Gazetari Andreë Higgins, i cili qëndroi në hotel, tha se menaxherët nuk ‘qajnë kokën fort’ për ato që thuhet në internet, transmeton portali arbresh.info

“Ata nuk pranojnë rezervime online, mezi kanë qasje në internet dhe vetë hoteli nuk ka llogari personale të postës elektronike”, tha Higins.

Në ditët e Jugosllavisë, sinonimi për pasuri ishte Hotel Grand.

Tani në pronësi publike, Hotel Grand është aq skandaloz sa edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka problem të thotë diçka të mirë për të, shkruan prestigjiozja amerikane.

“Unë nuk mendoj se është hoteli më i keq në botë, por bota është shumë e madhe”, tha Thaçi për gazetarin amerikan që qëndroi në hotel.

Thaçi beson se në aty mund të ndërtohet edhe ‘Trump Tower’, thuhet në artikull.

Në anën tjetër, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka deklaruar se ‘hoteli mund të mos jetë më i keqi në botë, por sigurisht është diku nga fundi’.

“Është e tmerrshme. Si mund të qëndroje ti këtu? Si mund të qëndrojë dikush këtu?”, tha Pacolli i habitur kur kuptoi se gazetari amerikan kishte qëndruar aty.

Vlerësimi i tij është se duhen rreth 50 milionë dollarë për të bërë Grandin sikurse kishte qenë dikur.

“Kur shkova në hotel, isha unë i vetmi njeri në një hotel me 500 dhoma. Në katet e larta, Hotel Grand është kthyer në një ‘shtëpi’ për pëllumbat, ndërsa bodrumi që ishte përdorur nga paramilitarët serbë është dhënë me qira”, shkruan Higins.

Ai shton se hoteli është komplet i braktisur, me një shërbim minimal ose jo-ekzistues, mermeri mban erë tym duhani, ndërsa qilimat në shumicën e katëve janë të coptuar dhe të dëmtuar.

“Aty ka edhe buburreca”, shkruan autori.

Higins, megjithatë, pretendon se Grandi meriton rishikime më të mira. Dy katet e para, thotë autori, janë gjithmonë të gatshme për mysafirë, dhomat janë të pastra dhe nganjëherë ka ujë të ngrohtë.

“Disa njerëz nga sfati  përpiqen që të dalin në ndihmë dhe është e qartë se ata janë të zënë ngushtë nga gjendja e keqe e hotelit të famshëm”, tha Higgins, duke shtuar se ish-Presidenti i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë Josip Broz Tito kishte dhomën e tij në katin e katërt të këtij hoteli.

Menaxheri i hotel ‘Grandit’, Rrahim Fazliu, thotë se ndoshta ky vend nuk e meriton më vlerësimin prej pesë yjeve të cilin e ka marrë qysh kur është ndërtuar në vitin 1978. Por, insiston ai, “me pak makijazh” hoteli mund të bëhet “simbol i suksesit” për një shtet që ende ka vështirësi t’i bëjë hapat e mëdhenj edhe pas 20 vjetësh kur NATO kishte filluar bombardimin ndaj forcave serbe.

Hoteli tani është në likuidim dhe asetet e veta, që përfshijnë një koleksion të vlefshëm të artit modern, do të shiten ose vendosen në muze në mënyrë që të gjendet një blerës i ri dhe hoteli të ndërtohet nga e para./arbresh.info/

Të ngjashme