Gazetari i Deutsche Welle, Bahri Cani kritikon VV-në që bëri thirrje për mos ta votuar Merkelin

12:34 | 23 Shtator 2017
Arbresh.info

Gazetari i radios Deutsche Welle, Bahri Cani ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për përzierje në fushatën zgjedhore në Gjermani.

“Mos u përzini në punët e huaja”, është mesazhi që përcjell gazetari nga Berlini. “Nuk ka më keq se kur dikush nuk e di vendin e vet! Njëri doli njëherë dhe publikisht i lutej Zotit që në SHBA të mos fitojë Donald Trumpi.

“Një politikan lokal (të cilit nuk ia di as emrin) merret me parulla idiotike antisemitiste. Ndërsa partia „më e madhe në Kosovë“ del tani dhe vetëm dy ditë para zgjedhjeve i bën publikisht thirrje bashkëkombasve të vet, se si duhet të votojnë në Gjermani”, ka shkruar Cani në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas tij, krejt normale është që partitë simotra të ndihmohen mes vete dhe kjo thirrje e Vetëvendosjes me siguri që do t’i sjellë një grusht vota socialdemokratëve (SPD) në Gjermani, por dëmi që mund t’i sjellë Kosovës dhe vet Vetëvendosjes, është shumë më i madh. Sipas Canit, SPD nuk ka kurfarë shansesh për fitore.

“Vetëvendosja dhe Erdogani janë pra të vetmit që deri tani u kanë sugjeruar bashkëkombasve të vet me të drejtë vote në Gjermani – për kë të votojnë apo kujt nuk duhet t’ua japin votën. Në Gjermani kjo nuk pritet mirë. Këtë do ta regjistrojnë edhe bashkëpunëtorët e kancelares së tanishme dhe të ardhshme të Gjermanisë. Kjo mund t’i kthehet si bumerang Kosovës dhe shqiptarëve”, ka shkruar Cani, i cili sugjeron partitë politike në Kosovë të merren me problemet në vendin e tyre.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme