Gazetarët dhe shoqëria civile kontestojnë transparencën e institucioneve publike

15:13 | 14 Maj 2019
Arbresh.info

Qasja në dokumente zyrtare në Kosovë parashihet me ligj. Por, gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët kanë më së shpeshti kërkesa për qasje në këto dokumente, kontestojnë transparencën e institucioneve.

Pakënaqësive të tyre, u është përgjigjur edhe Qeveria e Kosovës përmes një Raporti Gjithëpërfshirës të institucioneve publike për realizmin e të drejtës për qasje në dokumente publike, ku thuhet se institucionet kanë qenë të hapura për 92 për qind të kërkesave.

Sipas të dhënave në këtë raport, për vitin 2018, nga 2350 kërkesa për qasje në dokumente publike, 2170 prej tyre (apo 92 për qind) kanë marrë përgjigje pozitive, 148 kërkesa (apo 6 për qind) janë refuzuar kurse për 42 kërkesa (apo 2 për qind) është ofruar qasje e pjesshme.

Gazetarja Ardiana Thaçi-Mehmeti, e cila është edhe anëtare Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), vlerëson se institucionet nuk janë të hapura. Sipas saj, drejtuesit e institucioneve janë selektivë në dokumentet në të cilat ofrojnë qasje dhe të prirur të fshehin kontratat e rëndësishme.

“Institucionet e Kosovës janë të prirura të japin qasje në ato dokumente publike të cilat i përkasin një legjislature tjetër, apo një ministër lejon qasje në dokumentet që nuk i ka nënshkruar vetë, por ministri paraprak, apo anasjelltas institucionet tjera. Menaxherët duan, shpeshherë që përmes moslejimit të qasjes në dokumente publike të mbajnë të fshehta kontratat të cilat i bëjnë”.

“Kryesisht bëhet fjalë për kontratat të cilat janë milionëshe dhe kanë të bëjnë me buxhetin, me buxhetin e keqpërdorur të Republikës së Kosovës. Dhe kjo bëhet përmes lidhjes së kontratave të dyshimta, të cilat e kanë një klauzolë, tash është bërë modë nëse mund të themi, ku secila kontratë që nënshkruhet thuhet se është e mbyllur për publikun. Realisht ato nuk do të duhej të ishin të mbyllura për publikun, sepse janë para të taksapaguesve të Kosovë, janë para që i paguajnë qytetarët e Kosovës dhe ata do të duhej të dinin se nga shkojnë ato para”, vlerëson ajo.

Edhe drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, vlerëson se institucionet publike në Kosovë nuk janë gjithmonë të hapura dhe se ofrojnë qasje vetëm në një pjesë të dokumenteve publike.

Lidhur me këtë ajo merr shembull rastin e organizatës që drejton, të cilës thotë se i është mohuar e drejta për qasje të plotë në dokumentet e kërkuara për dy nga autostradat që janë ndërtuar apo janë në proces të ndërtimit.

“Lëvizja FOL në vazhdimësi për monitorime të ndryshme është dashur t’i marrë dokumentet. Jo gjithmonë na janë ofruar ato dokumente (të kërkuara). Rastin e fundit e kemi me autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, ku na janë dhënë disa dokumente, por jo të gjitha ashtu siç i kemi kërkuar”.

“Mendoj se institucionet japin vetëm ato dokumente nuk janë shumë, shumë të rëndësishme, të themi. Pavarësisht se ndërtimi i një autostrade duke u bërë me para të taksapaguesve dhe duhet të jetë kontrata e hapur, ne kemi rastin edhe me autostradën e parë, Prishtinë-Vermicë, ku lënda vazhdon të jetë ende në gjykata, pavarësisht se Gjykata Themelore na ka dhënë të drejtë neve, Ministria e Infrastrukturës ka bërë apel dhe ende nuk kemi përgjigje nga Gjykata e Apelit. Gjendja mund të jetë e mirë, varësisht nga dokumenteve që kërkon”, vlerëson Demolli-Nimani.

Demolli-Nimani konteston të dhënat në Raportin Gjithëpërfshirës të institucioneve shtetërore, duke thënë se në disa raste në të kaluarën kërkesat e tyre, drejtuar institucioneve të caktuara, nuk kanë qenë pjesë e raportit.

“Në fillimet, në vitin e parë ose të dytë kur ka dalë ky raport, jam dëshmitare vetë se shumë komuna ku ne kishim bërë kërkesa për qasje nuk figuronin as kërkesat tona, e jo kërkesat tjera. Kështu që dyshoj në gjithçka në atë raport”, shton ajo.

Ndërkohë, gazetarja Thaçi-Mehmeti, e cila së fundmi ka raportuar për punësimet në baza familjare dhe partiake në Telekomin e Kosovës, përmend vështirësitë që ka pasur kur ka kërkuar qasje në dokumente publike.

“Nga përvoja personale, kam pasur mjaft vështirësi në marrjen e informacioneve dhe dokumenteve nga shumë institucione. Dua të përmend disa që kanë pasur një lloj bllokade si Ministria e Infrastrukturës, e cila vazhdimisht menaxhon me shumicën e buxhetit të Republikës Kosovës. Po ashtu, kemi pasur vështirësi dhe mangësi në qasje edhe në kontratat e Telekomit të Kosovës”.

“Kohëve të fundit kam bërë një sërë hulumtimesh brenda Telekomit të Kosovës dhe realisht nuk kam arritur të nxjerrë një sërë informacionesh nga aty”, tregon Thaçi-Mehmeti.

Sipas saj, refuzimi i institucioneve për ofrim të qasjes në dokumente publike ka për qëllim zmbrapsjen e gazetarëve dhe largimin e tyre nga tema të caktuara.

“Moslejimi i qasjes në dokumente publike ndodhë për një arsye, ngase shumica e menaxherëve të institucioneve mendojnë se nëse ne si gazetarë nuk kemi qasje në ato dokumente publike ne do të heshtin, por gabojnë, sepse gjithmonë gazetarët kanë burimet e tyre prej nga mund të nxjerrin informacione dhe bëjnë lajme”, thekson ajo.

Miratimi i Projektligjit të ri për qasje në dokumente publike, i cili mes ndryshimesh, parasheh që organit të pavarur të komisionerit t’i japë kompetencë për të gjobitur institucionet ose zyrtarët që refuzojnë të ofrojnë qasje në dokumente publike, sipas Mexhide Demolli-Nimanit, do të jepte shpresë se gjendja mund të ndryshojë.

“Të presim, të shohim se kënd do ta zgjedhin komisioner, Ligji i ri për qasje në dokumente zyrtare, ende nuk ka kaluar, edhe aty ka disa përmirësime në krahasim me ligjin aktual. Shpresojmë që kjo gjendje do të përmirësohet me vetë faktin që do të kemi një risi në këtë drejtim, do të vjen një komisioner i cili do të ketë edhe mundësinë e shqiptimit të gjobave, që fatkeqësisht deri tash Avokati i Popullit nuk e ka pasur këtë kompetencë”.

“Avokati i Popullit, përveç një rekomandimi për institucionin e caktuar, nuk mund të bëj asgjë më shumë. Dhe, nëse përfundon në gjykatë, e kemi rastin konkret që fatkeqësisht janë dashur 10 vjet të merret një vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, që të kemi një vendim për dokumente publike, që do të duhej të ishin publike”, thekson Demolli-Nimani.

Në Qeverinë e Kosovës, e cila është publikuese e Raportit Gjithëpërfshirës, thonë se thonë se vetëm një pjesë e vogël e kërkesave nuk janë trajtuar nga ta. Në një deklarim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e këtij institucioni, Donjeta Gashi, ka folur vetëm për kërkesat për qasje në dokumente zyrtare në Zyrën e Kryeministrit.

“Pothuajse të gjitha kërkesat janë trajtuar. Ka dy apo tre kërkesa që kanë ardhur për qasje në dokumente zyrtare, të cilat nuk kanë marrë trajtim në Zyrën e Kryeministrit, po flas për vitin e kaluar kur kanë qenë afër 70 kërkesa, dhe arsyeja ka qenë për shkak se kanë kërkuar disa specifika te shpenzimet të cilat nuk kanë qenë finale, për shkak se nuk kanë qenë finale, për fatin se nuk kanë qenë të konfirmuara nga auditori apo të raportuara në Kuvendin e Kosovës”.

“Është një procedurë që çdo vit përmbyllet, Qeveria e Kosovës përpilon dokumentin apo raportin vjetor të shpenzimeve, pastaj ai konfirmohet nga auditori dhe në momentin që dërgohet në Kuvend, në komisionet përkatëse dhe pranohet, atëherë konsiderohet raport i përfunduar. Si të tillë, për këtë arsye ne nuk kemi arritur që dy apo tri kërkesave t’i japin qasje totale të shpenzimeve, por që nga afër 70 kërkesave janë trajtuar pothuajse të gjitha, përveç këtyre dy apo tre rasteve,” thotë zëdhënësja Gashi.

Ajo ka shtuar se për kontratat specifike, duhet të kontaktohen ministritë përkatëse.

“Sa i përket kontratave edhe pse është përgjegjësi e ministrive përkatëse, gjithsesi me sa di në disa raste, ka pasur kushte të cilat kanë qenë në mes palëve kontraktuese të mospublikimit të tyre. Por, për detaje në raport me këto kontrata specifike në ministri, atëherë është shumë më mirë që t’i kontaktoni këto ministri se pse nuk i kanë bërë publike këto kontrata, sepse unë po flas vetëm për Zyrën e Kryeministrit”, shton ajo.

Ndërkohë, zëvendës Avokatja e Popullit, Majlinda Sinani Lulaj, vlerëson se përkundër lëvizjeve pozitive së fundmi, gjendja ende lë shumë për të dëshiruar.

“Mendoj se ndodhemi në një fazë kur institucionet kanë filluar ta kuptojnë rolin proaktiv që duhet të luajnë në kuptimin e llogaridhënies ose të ofrimit të qasjes dhe dokumenteve që ato prodhojnë. Sidoqoftë, realiteti dhe ballafaqimi i përditshëm me raste, natyrisht se na ofron një pasqyrë që lë ende për të dëshiruar, edhe në kuptimin e këtij vullneti institucional për të ofruar informacion”.

“Sa i përket ankesave që drejtohen te ne në institucion, ne edhe vitin e kaluar edhe këtë vit, kemi një rritje, po themi, jo thjeshtë graduale, në fakt po shënohet një rritje e dukshme në kuptimin e ankesave që ne pranojmë sa i përket qoftë refuzimit, qoftë mosdhënies së dokumenteve nga institucioneve publike. Por që me ndërhyrjen tonë situata po shkon në favor të qasjes”, thekson Sinani-Lulaj.

Vitin e kaluar, në institucionin e Avokatit të Popullit për moslejim në qasjes në dokumente zyrtare ka pasur 61 ankesa, ku dominojnë ato individuale. Ndërsa këtë vit, deri më 10 maj, ka pasur 40 ankesa, ku dominojnë ankesat nga shoqëria civile dhe mediat.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme