Google ADS

Gatishmëria e Thaçit për lëvizje të kufijve përbën rrezik për Ballkanin në tërësi

08:24 | 17 Korrik 2018
Arbresh.info

Publikimi i lajmit në media se presidenti i vendit nuk po dëshiron kufizime sa i përket dialogut final me Serbinë, edhe nëse vihet në pikëpyetje ndryshimi i kufijve, ka shqetësuar teje masë partitë opozitare.

Partia Demokratike e Kosovës që dikur e udhëheqtë vet i pari shtetit ka hartuar një dokument për platformën për bisedimet finale me Serbinë. Në këtë dokument janë caktuar disa vija të kuqë që institucionet tona nuk duhet të bisedojnë fare në Bruksel.

Në mesin e tyre është edhe ajo që askush nuk duhet të lëshohet në aventura të rrezikshme të pranojë të flas për ndryshimin e kufijve.

Presidenca zyrtarisht ende nuk ka dhënë një qëndrim me strategjinë e PDK-së.

Por, në një lajm të publikuar të hënën në mediat vendore duke u thirr në burime të brendshme të këtij mediumi thuhet se propozimi i PDK-së nuk i ka pëlqyer presidentit Thaçi, për shkak se kjo e kufizon atë në negociata.

Qëndrim zyrtar për këtë nuk ka dhënë as institucioni i Kuvendit dhe ai i Qeverisë, por deputetët e opozitës thonë se gatishmëria e presidentit të flas gjithçka me Serbinë, përfshirë edhe ndryshimin e kufijve përbën rrezik për rajonin në tërësi.

“Hapja e kutisë së pandorës për shkëmbim të territorit është një gjë e rrezikshme, i cili në Ballkan nuk dihet se ku do të ndalet dhe Thaçi ose është duke e luajtur lojën e dikujt tjetër ose nuk është duke e ditur se me këtë lojë të rrezikshme mund t’i shkaktojë vendit humbje të mëdha”, thotë për Arbresh.info deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

Sipas tij, shefi i shtetit edhe në të kaluarën në pozitën e kryeministrit ka nënshkruar marrëveshje që janë në dëm të Kosovës, të integritetit territorial dhe funksionalitetit të shtetit.

“Çdo herë Thaçi ka ditur që në bisedime t’i heq vijat e kuqe të Kosovës dhe kjo shihet me marrëveshjet që i ka bërë deri më tani, të cilat kanë qenë më shumë për interes të tij personal dhe të komunitetit serb se sa në përforcimin e shtetësisë së Kosovës”, shtoi Avdyli.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi thotë se për të shpëtuar Kosovën nga bisedimet për ndryshim të kufijve, është Kuvendi ai që duhet të miratojë një platformë për dialogun me konsensus të të gjitha partive politike, raporton Arbresh.info.

“Kosova duhet të ketë një qëndrim të qartë në dialog dhe kjo bëhet duke e hartuar një platformë në kuvend me konsensusin e të gjitha partive politike, e pastaj autorizohen njerëzit që duhet të marrin pjesë në këtë proces”, thotë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje për Arbresh.info.

Sipas tij, dialogu i deritanishëm i Brukselit i ka kushtuar shumë Kosovës dhe për këtë tash nevojitet një qasje ndryshe.

Lajçi është shprehur se askush në Kosovë nuk guxon të bisedojë me Serbinë pa e marrë paraprakisht një autorizim në Kuvend.

“Thaçi nuk mund të vendos vetë se çfarë të bisedojë atje në Bruksel. Deklaratat e tij që nuk duhet të ketë vija të kuqe ndaj Serbisë, përfshirë edhe propozimet për ndryshimin e kufijve përbëjnë rrezik dhe si të tilla duhet të ndalohen”, shtoi ai, raporton Arbresh.info.

Ndryshe, të mërkurën pritet shkojnë në Bruksel, presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli , zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli dhe njëherit ministër i jashtëm, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

Nga ana tjetër, të tri partitë opozitare deri më tani nuk kanë pranuar që të shkojnë në Bruksel me krerët e shtetit të lartë cekur.

Partitë opozitare po kërkojnë dy kushte në mënyrë që të përkrahin procesin final të bisedimeve.

Kushti i parë është që bisedimet mos të udhëhiqen nga presidenti i vendit, pasi që sipas tyre ai nuk është kredibil për këtë gjë dhe e dyta është që Kuvendi të miratojë një platformë për këtë proces me disa vija të kuqe se për çfarë mund të bisedohet me Serbinë dhe çfarë jo./Arbresh.info

Të ngjashme