Gastronomët u shkruajnë Hotit e Zemajt, kërkojnë zgjatjen e orarit të punës deri në orën 00:00

09:51 | 9 Shtator 2020
Arbresh.info

Përmes një letre publike drejtuar kryeministrit, Avdullah Hoti, dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar që t’i mundësohet zgjatja e orarit të punës.

Në këtë letër, kjo shoqatë ka thënë se si pasojë e masës që ndalon qarkullimin e personave nga ora 22:30 deri në ora 05:00, gastronomia është në rrezik, shkruan Arbresh.info.

“Gjendja aktuale në vendin tonë sa i përket sektorit që mbulojmë dhe për të cilin avokojmë është tepër shqetësuese. Si rrjedhojë e masave të ushtruara nga ana e institucioneve të Kosovës, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen nga pengesat që janë shkaktuar në afarizmin e tyre. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj bizneseve nga institucionet tona, por vetëm ndaj punëtorëve me anë të Pakos Emergjente, dhe kjo me shumë lëshime në zbatimin e saj. Andaj, në mirëkuptim dhe konsideratë ndaj situatës së krijuar, kërkojmë nga ana juaj që të trajtoni me prioritet të lartë kërkesat tona dhe të ofroni ndihmë ndaj bizneseve që fatkeqësisht renditen si një prej më të goditurave në vend”, thuhet në këtë letër, ku është bërë e ditur se peticioni me nënshkrime për këto kërkesa së shpejti do t’iu dërgohet institucioneve.

Kjo shoqatë ka thënë se çdo veprim që do ta ndërmarrë në të ardhmen në kërkim të përmbushjes së këtyre kërkesave “do të jetë gjithnjë demokratik”.

Masa për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:30 deri në orën 05:00 ishte vendosur në fund të korrikut./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme