Dëshmitari Safet Gashi, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Hagë, tha se nuk e di që UÇK-ja ka arrestuar apo ndaluar dikë. Ai tha se sa iu kujtohet, UÇK-ja nuk ka pasur të bëjë asnjëherë me civilë.
“Sa më kujtohet mua, kurrë nuk ka të bëjë me civilë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Sa e di, kurrë me civilë nuk ka pas të bëjë”, tha Gashi.
Ish-pjesëtari i UÇK-së tha se ata janë merrë vetëm me ushtarë serbë me uniformë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“S’kemi pas të bëjmë me civilë kurrgjë, pos me ushtarë serbë në uniformë. Civilë as serbë nuk kemi arrrestu, le më civilë shqiptarë”, shtoi ai.
Pas kësaj, me kërkesën e mbrojtjes së Pjetër Shalës, seanca kaloi në sesion privat për publikun.
Ish-pjesëtari i UÇK-së thotë se nuk e ka njohur dhe as s’e ka parë Pjetër Shalën gjatë luftës
Dëshmitari Gashi tha se Shalën nuk e ka parë ndonjëherë gjatë asaj kohe.
“Kurrë në jetë nuk e kam njoftë atë njeri. As që e kam pa ndonjëherë. Kurrë pa atë njeri s’e kam. Ju betohem”, tha Gashi.
I pyetur se a kishte parë ndonjë uzinë të Fabrikës në Kukës, dëshmitari mohoi një gjë të tillë dhe tha se nuk kishte informacion nëse kishte ndonjë Shtab tjetër të UÇK-së në këtë qytet.
Dëshmitari tha se nuk i kujtohet se kur i është bashkuar UÇK-së, mirëpo një gjë të tillë e ka bërë për të luftuar kundër forcave serbe.
Safet Gashi tha se ka qenë pjesë e Brigadës 128, e cila e ka pas bazën në Guruzhup, ndërsa shtoi se komandant i përgjithshëm i kësaj Brigade ka qenë Ruzhdi Sermati, të cilin e ka parë vetëm 2-3 herë.
Dëshmitari Gashi tha se ka qenë në togun e njësisë speciale në kohën sa ishte pjesëtar i Brigadës 128.
“Unë po flas për Brigadën teme. Brigada është 128. Unë për vete jam kanë e i kam kry ushtrimet në Goruzhup. (Pjesëtarët e Brigadës) kanë nejtë edhe në vende tjera, por nuk jam në dijeni se ku kanë nejtë. Unë për vete nuk kam lujtë kërkah, aty kam nejtë se ka pas luftime. Unë kam qënë në njësinë speciale. Ne jemi kanë në vijën e parë të frontit. Ky tog merr prej 11 deri në 15 ushtarë”, tha dëshmitari Gashi.
I pyetur se a ka qenë më herët në Kukës gjatë luftës, dëshmitari tha se ka shkuar për armatim.
“Nuk më kujtohet, por mars u kanë ‘99-të viti. Kam shku me 4-5 shokë për me marrë armatim. Kjo është edhe pyetja më herët që thash jam kanë në Shqipëri. Veç jemi ndalë pak kemi pushu. Nuk thash që kemi nejtë në Kukës, po kemi shku në Kolsh apo Kalimash, nuk më kujtohen këto dy katune”, tha dëshmitari, duke theksuar që nuk iu kujtohet saktë se në cilin vend në Kukës ka qenë.
Ndryshe, gjatë marrjes në pyetje të këtij dëshmitari nga ana e mbrojtjes së Shalës, përfaqësuesit e ZPS-së thanë se ai po bën pyetje sugjestive. Vërejtjen ia tërhoqi edhe kryetarja e trupit gjykues, MappieVeldt-Foglia.
“Nuk na ndihmon të marrim në pyetje dëshmitarin duke bërë pyetje sugjestive”, i tha kryetarja e panelit gjykues avokatit Jean-Louis Gilissen.
LEXO EDHE:
Në seancë private për publikun, Safet Gashi fillon dëshminë në gjykimin ndaj Pjetër Shalës
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...