Gashi synon edhe për një mandat drejtimin e Obiliqit

00:02 | 19 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka thënë se do të garojë edhe për një mandat për kryetar të kësaj komune.

“Për 4 vite, në Obiliq kanë marrë hov shumë projekte kapitale, duke filluar nga ura, shtëpia e kulturës, rrethrrotullimi. Obiliqi ka filluar të ndryshojë. Përsëri do të punoj dhe do t’i gëzohem edhe një mandati”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Për sa i përket Ligjit për Obiliqin, i cili është miratuar në fund të vitit të kaluar, ai tani ka hyrë në fuqi.

“Kemi nivel qendror, lokal dhe funksional. Këtë ligj e kanë votuar 72 deputetë”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, me këtë ligj Obiliqi do të ketë trajtim të veçantë si komunë e rrezikuar nga ndotjet.

Gashi ka thënë se me Ramush Haradinajn kryeministër, komuna e Obiliqit do të ketë prioritete më të mëdha.

Për sa i përket zgjedhjeve lokale, Gashi ka thënë se ende nuk janë shpallur zyrtarisht kandidaturat, por mendon se verdikti i qytetarëve do të vendosë kush do të jetë në krye të komunës.

“Këtë mandat, nuk do të ketë balotazh në zgjedhjet lokale”, ka thënë ai.

Për sa i përket krijimit të institucioneve, ai kërkon sa më shumë përgjegjësi nga udhëheqësit e vendit.

“Ata duhet të bëjnë një zgjedhje, kjo duhet të bëhet në javët në vazhdim”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme