Gashi reagon për dëmtimin e artefaktit

09:28 | 24 Qershor 2019
Arbresh.info

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministri Gashi shpreh shqetësimin e thellë për dëmtimin aksidental të një artefakti (Pitosi) në ambientet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur, ministri Gashi ka kërkuar me urgjencë raport të detajuar nga i gjithë zinxhiri i hierarkisë në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar, pra dëmtimit nga pakujdesia e rëndë dhe e papranueshme e Pitosit, i cili ka qenë i ekspozuar në ambientet e
IKMM-së.

Sipas Ligjit Nr. 02/L – 088 për Trashëgimi Kulturore dëmtimi dhe shkatërrimi i objekteve të luajtshme të trashëgimisë kulturore janë vepra të dënueshme dhe përbëjnë bazë për përgjegjësi në përputhje me legjislacionin penal dhe kundërvajtës, andaj sapo të pranohen raportet e të gjitha institucioneve dhe personave kompetentë në lidhje me këtë rast do të ndërmerren të gjitha veprimet konkrete në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe do të merren të gjitha masat ligjore për këtë rast.

MKRS-ja siguron opinionin publik dhe të gjithë mekanizmat institucionalë se në çdo rast të tillë ajo nuk do ta tejkalojë pa llogaridhënie, duke vepruar me vendosmëri drejt zbatimit të kuadrit ligjor, i cili e obligon atë në korniza të mandatit për të ruajtur dhe mbrojtur me rigorozitet vlerat e objekteve dhe aseteve të trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme