Google ADS

Gashi: LDK-ja e gatshme të hyjë në qeveri gjithëpërfshirëse

23:57 | 19 Shkurt 2019
Arbresh.info

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se partia e tij është e gatshme të hyjë në qeverinë gjithëpërfshirëse, të cilën e ka quajtur si opsion të dytë, pasi opsioni i parë janë zgjedhjet.

“Edhe në grupin parlamentar [të LDK-së] është diskutuar për mundësinë e qeverisë gjithëpërfshirëse dhe është thënë se nëse është në interes të vendit ne jemi të gatshëm të marrim këtë përgjegjësi”, ka thënë Gashi.

Ai ka sqaruar se nëse nuk ka kohë për zgjedhje të reja për shkak të thirrjeve se së pari duhet të mbyllet dialogu me Serbinë, atëherë qeveria gjithëpërfshirëse do të ishte zgjidhje për situatën në të cilën ndodhet Kosova.

“Kjo është zgjidhja e dytë dhe zgjidhja e vetme janë zgjedhjet. Nëse duhet të konkludojmë, ky është qëndrimi i LDK-së: Opsioni i parë janë zgjedhjet, ndërsa opsioni i dytë është hyrja në qeveri gjithëpërfshirëse, nëse nuk ka kohë për zgjedhje, ka kohë për zgjidhje dhe në bazë të forcës që kemi të bëjmë zgjidhje politike”, ka thënë Gashi që e ka quajtur të jashtëligjshëm ekipin negociator në dialogun me Serbinë.

“Konsideroj që ekipi negociator është jashtëligjshëm pasi ka marrë kompetenca të Kuvendit dhe Qeverisë. Ekipi nuk ekziston në sistemin tonë juridik. Në provizionet tona kushtetuese detyrat e kryeministrit dhe qeverisë janë të parapare, jo të bartet te dikush tjetër në mënyrë jo ligjore”, ka thënë Gashi.


Gashi e quan jodinjitoze e të pasaktë Platformën për dialog

Dokument jodinjitoz e ka quajtur deputeti i LDK-së, Arben Gashi, Platformën për dialog të hartuar e të miratuar nga Ekipi negociator e që pret të votohet në Kuvend.

Gashi ka thënë se deputetët ende nuk kanë marrë zyrtarisht këtë dokument.

“Nuk e kam marrë në formë zyrtare, e kam parë në formë informate. Nuk mund ta komentojë derisa nuk e kemi versionin zyrtar, por nëse është ajo siç ka dalë, është një ndër dokumentet më së keqi të punuar që kam parë ndonjëherë”, ka thënë Gashi, në interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, Platforma nuk ka strukturë të mirë dhe ka shumë mospërputhje brenda saj.

“Ta zëmë diku thuhet parim diku princip”, ka thënë Gashi.

“Është i pasaktë, duket se është bërë kompromis politik ku janë vendosur preferencat e subjekteve. Si i tillë është jo i dinjitetshëm si dokument”, ka thënë Gashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme