Gjykata Themelore në Prishtinë pritet që gjatë ditës së sotme të dal me vendim rreth caktimit të masës së sigurisë ndaj 10 grave të kthyera nga Siri, të cilat dyshohen për pjesëmarrje në grupe terroriste, raporton arbresh.info.
Kështu ka bërë të ditur avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi, e cila mbron njërën nga këto gra.
Avokatja ka thënë se gjyqtari i procedurës paraprake i ka njoftuar mbrojtësit e të dyshuarave se vendimi i gjykatës do të merret sonte.
Ajo tha se ende është duke u mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarave të kthyera nga Siria.
Ajo pohoi se mbrojta ka kërkuar masë më të lehtë ndaj klientëve të tyre.
“Ende është duke u mbajtur seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj të pandehurave në procedurë. Për fatin e mirë unë u deklarova rreth klientes time, pavarësisht nga situata që kërkuam masë më të butë, kjo u mor parasysh nga prokurorja e rastit, e cila kërkoj caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tyre”, ka thënë Gashi-Bytyqi.
Sipas saj, masa e paraburgimit, apo e arrestit shtëpiak mund të krijoj vështirësi të këtyre grave në kujdesin e fëmijëve të tyre.
“Ne si mbrojtje kërkuam masë më alternative, siç ishte masa e paraqitjes në stacionin policor, kjo nga arsyeja se këto gra qysh dje janë sistemuar në shtëpi të të afërmve të tyre dhe kanë nevojë të rehabilitohen, pasi që edhe fëmijët i kanë në gjendje jo të mirë. Kam frikën se masa e arrestit shtëpiak kurdo që të shkelet automatikisht kalon në paraburgim, andaj kjo ishte arsyeja e jonë që ne kërkuam caktim të paraqitjes në polici”, tha ajo.
Sipas saj, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, ndjeshmërinë e çështjes, nëse gjykata aprovon kërkesën e mbrojtjes për paraqitje në stacionin policor për të dyshuarat, do të ishte një lehtësim edhe për mbrojtjen por edhe për vet këto gra, të cilat janë kthyer në Kosovë pas pesë vjetësh.
Avokatja tregoi se klientja e saj u mbrojt në heshtje. Ajo tha se kërkesa për një masë më të lehtë sigurie ndaj saj, ishte me qëllim se e njëjta e ka një fëmijë të sëmurë dhe tre të tjerë të mitur.
“Klientja ime me është mbrojtur në heshtje. Kërkesa për paraqitje në stacionin policor si masë më e lehtë ndaj klientes time ishte për shkak se e njëjta e ka një fëmijë të sëmurë, në karrocë, si dhe ka edhe tre fëmijë të tjerë të mitur dhe nuk do të mund t’i koordinoj aktivitetet dhe nevojat e fëmijëve të saj, pasi që burrin e ka në Siri”, u shpreh Gashi-Bytyqi.
Sipas saj për disa nga këto gra kishte pasur vendim për fillim të hetimeve, pasi që më herët kishte pasur informata se të njëjtat kanë shkuar në zonat e luftës në Siri dhe Irak, mirëpo në ndërkohë pasi që afatet e hetimeve janë të kufizuara, ndaj disa prej tyre janë pezulluar procedurat, kështu që nga sot është marrë aktvendimi për fillim të hetimeve ndaj tyre.
Ndryshe , 110 personat e kthyer në mënyrë të organizuar janë familjarë të atyre të rinjve nga Kosova që shkuan në zonat e konfliktit në Siri për të luftuar për të ashtuquajturin, “Shteti Islamik”, IS.
Kthimi i tyre ishte bërë të premten nga Turqia me një aeroplan që mbante flamurin amerikan. Qytetarët e kthyer janë gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë që ishin të përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme përkrah IS-it. Në mesin e të kthyerve ishin edhe katër ish-luftëtarë të IS-it./Arbresh.info
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...
Kuvendi vlerësohet si institucioni më transparent dhe llogar...
Pas tronditjes zgjedhore – çfarë po ndodh në Rumani?
AUV në pritje të rezultateve për mandarinat e importuara nga...
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...