22:57 | 23 Nëntor 2023
E.G
Në Tiranë u zhvillua Samiti i Tretë i Diasporës, me pjesëmarrjen e personaliteteve shtetërore dhe politike, përfaqësues të rajoneve italiane ku shtrihet komuniteti arbëresh, përfaqësues nga diaspora, akademikë, studiues, gazetarë dhe artistë, të cilët u bashkuan për të diskutuar koordinimin e aktiviteteve në dobi të zhvillimit të përbashkët të shqiptarëve në diasporë.
Republika e Kosovës në këtë Samit u përfaqësua nga Presidentja Vjosa Osmani, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, bën të ditur njoftimi, përcjell Arbresh.info.
Në panelin me temën: “Politikat shtetërore në mbështetje të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë” u diskutua për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, rolin e mësuesve, tekstet mësimore dhe unifikimin e tyre, platformën digjitale, kurrikulën dhe organizimet e përbashkëta për trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve në diasporë, si dhe për rolin e mediave në përçimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinjë të shqiptarëve në diasporë.
Në fjalën e saj, Zëvendësministrja Liza Gashi, duke folur për rëndësinë e kësaj teme dhe angazhimin institucional, përmendi disa nga prioritetet për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë.
Si hap shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, Gashi theksoi institucionalizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, digjitalizimin e teksteve mësimore, krijimin e një platforme digjitale me qëllim të mësimit dhe praktikimit të gjuhës shqipe, duke fuqizuar edhe rolin e mësimdhënësit përmes një marrëveshje të përbashkët për bashkëfinancimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në mërgatë.
Me këtë rast, ajo theksoi se interesimi i nxënësve shqiptarë në diasporë do të ishte shumë më i madh nëse institucionalizohet dhe çertifikohet gjuha shqipe. Ajo gjithashtu foli edhe për rëndësinë e krijimit të kuadrove të reja që të bëhen pjesë e programeve intensive për mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe shprehu mirënjohjen për mësuesit në diasporë për punën e madhe që kanë bërë në baza vullnetare ndër vite.
Zëvendësministrja Gashi në mbyllje të fjalimit të saj theksoi nevojën e një plani të përbashkët rreth avancimit të mëtejmë të nismave konkrete që mbështeten nga të dyja palët për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe përfshirjes së kuadrove të reja në diasporë./Arbresh.info/