Për njohës të zhvillimeve në Ballkan, garancitë që i kërkon presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në këmbim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë të drejta dhe të domosdoshme.
Por, njësoj, sipas tyre, janë edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova ta themelojë këtë asociacion.
“Mënyra më e mirë për Kosovën që t’i marrë garancitë që i meriton, është t’u ofrojë serbëve të Kosovës garancitë që i meritojnë si qytetarë të Kosovës”, thotë Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA.
Osmani, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës më 10 korrik, kërkoi nga partnerët ndërkombëtarë garanci për sigurinë dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në këmbim të themelimit të Asociacionit.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse qëndron prapa këtyre kërkesave, por zyrtarë të saj thanë se nuk do të deklarohen për këtë temë.
Në një intervistë dhënë më 19 mars, kryeministri Albin Kurti tha se është “në një linjë” me presidenten Osmani sa i përket çështjes së Asociacionit.
A do t’i ofronte bashkësia ndërkombëtare garanci Kosovës?
Në Bashkimin Evropian nuk i përgjigjen kësaj pyetjeje, por thonë se Kosova, prej kohësh, e ka detyrim ligjor ta themelojë Asociacionin.
“Është urgjentisht e nevojshme që të përmbushet ky detyrim”, thotë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Në fund të vitit të kaluar, në BE hartuan edhe një draft-statut për themelimin e Asociacionit, që iu dorëzua Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse fillimisht u duk se u pranua nga të dyja palët, atë nuk e çuan përpara.
Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Departamentin amerikan të Shtetit nëse do t’ia ofronte Kosovës garancitë e kërkuara nga presidentja Osmani, por nuk mori përgjigje.
Në të kaluarën, zyrtarë të lartë amerikanë siguruan se mbështetja e tyre shkon për një asociacion në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
A janë të justifikueshme kërkesat e Osmanit?
Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi, thotë se Osmani është me të drejtë skeptike se themelimi i Asociacionit do të sillte përfitime të prekshme për Kosovën.
Sipas tij, kërkesat e saj duhet parë në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për të destabilizuar Kosovën.
Andaj, Osmani kërkon garanci, “për t’i zbutur pasojat e mundshme negative” dhe “për të siguruar se interesat e Kosovës mbrohen”, thotë Hartwell.
Me marrëveshjen e vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve, e njohur si Marrëveshja Bazë, Kosova ra dakord për t’i siguruar komunitetit serb një nivel të vetëmenaxhimit, ndërsa Serbia për të mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, mes tjerash.
Megjithëkëtë, Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës; hartoi një letër zyrtare, përmes së cilës u zotua se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të marrëveshjes dhe u akuzua për një sulm të armatosur në Banjskë të Kosovës.
“Duke lexuar mes rreshtave të deklaratës së Osmanit, është evidente se ajo kërkon ose një marrëveshje të vërtetë, ligjërisht të detyrueshme, që e obligon Serbinë t’i përmbushë zotimet e saj, ose – në mungesë të një marrëveshjeje të tillë – garanci të konsiderueshme ndërkombëtare”, thotë Hartwell.
Marrëveshja e vitit 2023 dhe aneksi i zbatimit të saj nuk u nënshkruan nga Kosova dhe Serbia, për shkak të refuzimit të kësaj të fundit, dhe Hartwell thotë se, nga perspektiva e ligjit ndërkombëtar, këto dokumente nuk përbëjnë ndonjë detyrim, edhe pse BE-ja këmbëngul në të kundërtën.
Përse janë “të domosdoshme” garancitë për Kosovën?
Për tri arsye, thotë Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA.
Së pari, kundërpala e Marrëveshjes Bazë, Serbia, nuk është sjellë me mirëbesim, që nga momenti kur dy vendet “kanë rënë dakord” për aneksin e zbatimit, thotë ai.
Së dyti, detyrimet e secilës palë “nuk janë paralele”. “Është Kosova ajo që i kërkohet të bëjë hapin afirmativ për formimin e Asociacionit… Nuk ka asnjë hap paralel, për shembull, të një asociacioni brenda Serbisë për Shqipërinë”, thotë Joseph.
Në vend të kësaj, shton ai, Serbia është e obliguar të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Por, prioriteti numër një i politikës së jashtme të Serbisë është pikërisht bllokimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare – me fjalë dhe me vepra, thotë ai.
“Kjo është arsyeja përse është thelbësore që BE-ja dhe SHBA-ja të kenë një plan – jo vetëm një shpresë apo përpjekje – për ta avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO para së gjithash, pavarësisht se çfarë bën Serbia”, beson Joseph.
Dhe, arsyeja e tretë përse garancitë janë thelbësore, sipas tij, është fakti se BE-ja “ka treguar pak vullnet” për t’i pranuar përgjegjësitë e veta sipas Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të zbatimit.
“Me marrëveshje duhet themeluar ‘Komitetin e Përbashkët Monitorues’… ‘të kryesuar nga BE-ja’… për monitorimin e zbatimit të saj. Por, BE-ja ikën nga kjo përgjegjësi për të arbitruar”, thotë Joseph.
Si do të dukeshin garancitë?
Joseph dhe Hartwell numërojnë disa opsione.
Si fillim, thotë Joseph, kryeqytetet kryesore evropiane, si Berlini dhe Parisi, mund ta sigurojnë Prishtinën se nëse e dorëzon draft-statutin e BE-së për Asociacionin për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, ajo do t’i ketë votat për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
BE-ja mund të sajojë, njëkohësisht, edhe një metodë për të aprovuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë bllok, thotë ai.
Për Hartwellin, opsion optimal do të ishte pranimi i Kosovës në NATO dhe, deri në një masë, në BE. Por, meqë tash për tash është i parealizueshëm, për faktin se në të dyja organizatat ka vende që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ekziston edhe një opsion i përkohshëm, sipas tij.
“Përpara së të arrijë të anëtarësohet në NATO ose BE, Kosova mund të kërkojë marrëveshje dypalëshe të mbrojtjes me disa vende kyçe, si SHBA-ja, Britania e Madhe, Turqia dhe shtete të zgjedhura të BE-së. Këto marrëveshje mund të ofrojnë garanci të formalizuara sigurie, të ngjashme me ato që i kanë aleatët joanëtarë të NATO-s, si Japonia dhe Koreja e Jugut”, thotë Hartwell.
Sipas tij, marrëveshjet e tilla, që përfshijnë stërvitje të përbashkëta ushtarake, do të shërbenin pastaj si “pengesë ndaj agresionit të mundshëm nga Serbia”.
A do të ishin rrugëdalje garancitë?
Hartwell thotë se, duke pasur parasysh se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në qorrsokak, nëse jo i vdekur, mënyra më efektive për t’i dhënë fund konfliktit, janë pikërisht këto marrëveshje, ose anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE.
“Nga kjo qasje do të përfitonin shumë edhe serbët e Kosovës, pasi do t’u ofronte stabilitet dhe siguri”, thotë ai.
Për Josephin, Osmani është brenda të drejtave të saj që kërkon garanci, por edhe Uashingtoni dhe Brukseli janë brenda të drejtave të tyre që kërkojnë dorëzimin e draft-statutit për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, si dhe respektimin e plotë të të drejtave të serbëve të Kosovës.
Andaj, mënyra më e mirë për Kosovën që t’i marrë garancitë që i meriton, “është t’u ofrojë serbëve të Kosovës garancitë që i meritojnë si qytetarë të Kosovës”, thotë ligjëruesi në Universitetin Johns Hopkins.
Për dialogun…
Në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011, Kosova dhe Serbia arritën dhjetëra marrëveshje në letër, por pak prej tyre u zbatuan në terren.
Takimi i fundit në nivel të lartë – mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq – u mbajt në shtator të vitit të kaluar.
Në tre vjetët e fundit, ata u takuan tetë herë, por në asnjërin prej takimeve nuk u nënshkrua ndonjë marrëveshje dhe në secilin prej tyre fajësuan njëri-tjetrin.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...