Google ADS

GAP: Shumë projekte kapitale të komunave nuk janë funksionalizuar asnjëherë

11:47 | 6 Shkurt 2022
Përparim Bublaku

Instituti GAP ka publikaur raportin “Qëndrueshmëria e investimeve kapitale të komunave”. Sipas raportit, një numër i konsiderueshëm i projekteve kapitale nuk janë funksionalizuar asnjëherë apo nuk kanë arritur rezultatin e planifikuar.

Përkundër nevojës së lartë për investime, janë shpenzuar miliona euro të taksapaguesve për ndërtimin e objekteve të ndryshme të cilat nuk janë shfrytëzuar. Në disa raste, objektet e ndërtuara janë dëmtuar nga mosshfrytëzimi i tyre.

“Raporti i Institutit GAP ofron shembuj të investimeve të kryera që nga viti 2000 të cilat akoma nuk janë funksionale. Ndërsa raste të tjera përfshijnë ndërtimin e shkollave, që pas përfundimit të ndërtimit është konstatuar që terreni është jo i përshtatshëm për ardhje/vajtje të nxënësve, ose ndërtimin e qendrave mjekësore për të cilat pas përfundimit është konstatuar që nuk ka numër të mjekëve për t’i bërë ato funksionale, e deri të ndërtimi i kontenjerëve nëntokësorë për mbeturina, që vetëm pas ndërtimit është konstatuar që Kosovës i mungojnë automjetet adekuate për tërheqjen e mbeturinave në sistemin nëntokësor”

“Këto raste, përveç që dëshmojnë mos planifikim të duhur të investimeve, janë edhe rezultat i ndryshimeve demografike dhe rrjedhimisht, mungesa e nevojës për shfrytëzimin e tyre; mosmirëmbajtja dhe dëmtimi i projekteve pas përfundimit të investimeve; kontestet pronësore; mungesa e fondeve të mjaftueshme për të përfunduar projektin dhe në disa raste pamundësia e komunave për të pranuar staf me pagesë të rregullt, në menaxhimin ose funksionimin e objekteve të caktuara”, thuhet në raport.

Instituti GAP ka analizuar shkaqet që çuan në dështimin e disa projekteve kapitale në të kaluarën, në mënyrë që të nxirren mësime nga këto projekte. Sipas këtij raporti, arsyet që mund të dërgojnë në investime kapitale të dështuara, në njërën anë, ndërlidhen me mospërfshirjen e mjaftueshme të grupeve të interesit gjatë fazave të projekteve, dhe në anën tjetër, me mosrespektimin e plotë të procedurave ligjore të prokurimit, duke filluar nga hartimi i kontratave me operatorët ekonomikë dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre. GAP ka ofruar edhe një numër rekomandimesh se si do të mund të përmirësohen politikat publike në këtë fushë./arbresh.info/

Raporti

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme