Gani Geci, i dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, ka deklaruar të martën se vrasjen e ka kryer në vetëmbrojtje, pasi thotë se kanë dashur ta vrasin, meqë sipas tij, kanë dyshuar se është dëshmitar në Gjykatën Speciale.
Këto deklarata, Geci i ka bërë në seancën e kolegjit të Gjykatës së Apelit, ku janë shqyrtuar ankesat e palëve në lidhje me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.
“Kanë dashtë të më vrasin, veç pse kanë dyshuar se jam dëshmitar i Gjykatës Speciale”, tha Gani Geci, në seancën e së martës në Gjykatën e Apelit.
Geci tha se ka qenë i rrezikuar se do të vritej nga grupe të ndryshme. “Për vrasjen time u janë premtuar 10 hektarë tokë”, tha ndër të tjerash Geci.
Ai tha se gjithmonë i ka ndihmuar organet e ndjekjes, gjykatën dhe prokurorinë për ndjekjen e, siç thotë, kriminelëve.
“Prokuroria e merr Ruzhdi Shaqirin si person të rëndomtë, por unë posedoj aktakuzë që është ngritur ndaj tij dhe njerëzve të tij. Kanë dalë edhe akuza tjerë që i njëjti ka qenë një vrasës, vrasës me pagesë, që ka vra oponentët politikë, por tani është i vdekur dhe nuk mund të gjykohet. Gjykata ka një vendim, që Ruzhdi Shaqiri ka marrë pjesë edhe në vrasjen e shokëve të mi”, deklaroi Geci.
Përveç Gecit, ankesë kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, kishte ushtruar edhe mbrojtësi i tij, avokati Ndrecë Dodaj, Prokuroria e EULEX-it, gruaja e të ndjerit Ruzhdi Shaqiri dhe avokati i saj, Sokol Dobruna.
Avokati Dodaj, e kishte atakuar këtë aktgjykim, pasi sipas tij, veprimet e kryera nga ana e të mbrojturit të tij, kanë qenë në vetëmbrojtje dhe se i njëjti ka qenë gjithë kohës i rrezikuar.
“Ky është personi i vetëm që ka shpëtuar pa u vrarë nga grupacionet tjera”, tha Dodaj duke iu drejtua të mbrojturit të tij, Gani Geci.
Dodaj tha se ekzaminimi mjekësor është dashur ta shpallë Gecin të papërgjegjshëm totalisht, pasi terë kohës ka qenë në ankth.
Ai kërkoi nga gjykata që t’i refuzojë ankesat e prokurorit dhe palës së dëmtuar, pasi sipas tij, janë vetëm të karakterit deklarativ dhe pretendimet e tyre nuk mbështeten në argumente.
Prokurori i EULEX, Marc Meslin tha se nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese në rastin ndaj Gani Gecit, pasi sipas tij raporti mjekësor ka konstatuar se i njëjti ka qenë i përgjegjshëm në momentin e vrasjes dhe se nuk ka vuajtur nga asnjë defekt.
Prokuroria e EULEX-it, ankesën e kishte ushtruar për të gjitha bazat ankimore, përkatësisht për shkeljet e procedurës penale, ligjit penal dhe vendimin mbi dënimin, të cilin e kishin konsideruar si shumë të ulët.
Prokurori Meslin, tha se një gjë është e pakontestueshme, pasi në kafiterinë ku është kryer vrasja, ka pasur edhe persona tjerë.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Sokol Dobruna tha se qëllimi edhe me tre plumba tjerë, pas shtrirjes për tokë të të ndjerit Ruzhdi Shaqiri dëshmon se vrasja është kryer me dashje.
Dënimi me 4 vjet e gjashtë muaj burgim sipas avokatit Dobruna është i papranueshëm.
Ndërkaq, Halime Shaqiri, tha se bashkëshorti i saj, tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri në ditën kritike nuk ka pasur armë. ”Burri im nuk ka pasur armë, nuk e di pse e ka vrarë”, përfundoi fjalën e saj.
Me 3 qershor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Mitrovicë, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Gani Geci akuzohet se Ruzhdin Shaqirin e kishte vrarë në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014./ Betimipërdrejtësi/
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...