Fusnota, i është vënë emrit të Kosovës në bazë të një marrëveshje të arritur me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin e Kosovës në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.
Megjithatë, vlerësimet dhe komentet rreth efekteve të fusnotës, mbeten jo vetëm çështje debatesh, por edhe polemikash.
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë se alternativa e fusnotës ishte izolimi. Kurse fusnota, ishte hapje e perspektivës për integrime euro-atlantike. Ajo qëndron edhe më tutje pranë deklaratës, se fusnota është vetëm një fluskë bore që do të shkrihet.
“Unë e kam përmendur edhe ende e përmendi që është një fluskë bore, në kuptimin metaforik. Pse e kam thënë këtë? – sepse në momentin kur pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian e njohin pavarësinë e Kosovës, atëherë kjo fusnotë do të shkrihet, pra do të hiqet nga përdorimi”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Edita Tahiri.
Për partitë opozitare, marrëveshja për fusnotën konsiderohet si koncesion i dhimbshëm për Kosovën, ngase sipas tyre, me këtë marrëveshje me vetëdije dhe vullnet Kosova ka hequr nga subjektiviteti shtetëror.
Deputetja Puhie Demaku, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se rezultatet e këtij koncesioni janë minimale, krahasuar me lëshimet që i ka bërë Kosova në dialog me Serbinë.
“Rezultatet të cilat janë pritur, përkundër një koncesioni kaq të dhimbshëm, nuk janë aspak në përputhje me ato që kemi dhënë ne. Kosova vazhdon të mbetet e nënpërfaqësuar, jo e integruar në mekanizmat ndërkombëtar që janë synuar dhe vazhdon të bllokohet nga Serbia, përkundër faktit që marrëveshja ka qenë ndryshe”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, Puhie Demaku.
Ndërkohë, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj thotë se me marrëveshjen për fusnotën, ishte paralajmëruar zbutja e politikës agresive të Serbisë karshi përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës. Por, sipas tij, megjithatë ka ndodhur e kundërta.
“Nuk qëndron ajo që zonja Tahiri e ka thënë se fusnota është fluskë bore, por mendoj që ajo fluskë e borës po shndërrohet në fluskë çeliku dhe Kosova po zbehet si shtet. Ndërsa qasja e Serbisë ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar, përkundrazi ajo ka një qasje shumë negative duke tentuar ta destabilizojë Kosovën”, ka deklaruar Lekaj në një prononcim ka thënë për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, analisti Emrush Ujkani mendon se fusnota nuk prodhoi rezultatet dhe efektet e proklamuara nga Qeveria. Sipas tij, fusnota është mirë të përdoret për përfaqësim në disa nisma e konferenca rajonale, por jo edhe për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma e organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
“Përveç pjesëmarrjes në këto forume, nuk ka ndonjë anëtarësim konkret të Kosovës në mekanizma relevant dhe mirë është që nuk është anëtarësuar, sepse anëtarësimi në këso mekanizma do të duhej të jetë i plotë, ashtu si i takon një shteti dhe jo të shkohet me fusnotë apo ndonjë simbol tjetër”, ka vlerësuar Ujkani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, ministrja Edita Tahiri thotë se fusnota ia ka hapur rrugën Kosovës për integrime evropiane dhe rajonale. Falë fusnotës, thekson Tahiri, edhe pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, kanë mbështetur Kosovën në rrugën e anëtarësimit në BE, me çka është mundësuar edhe nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si hapi i parë drejt integrimit në BE.
Po ashtu, thekson Tahiri, në saje të fusnotës, Kosovës i është hapur rruga për anëtarësim në organizata rajonale, nisur nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal e shumë nismave tjera. Një e arritur tjetër e fusnotës, vijon Tahiri është anëtarësimi i vendit në organizatat kryesore sportive në botë.
“Për të gjitha shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, fusnota ka mundësuar që në njërën anë ta ruajnë pozicionin ndaj statusit të Kosovës, por në anën tjetër t’i japin përkrahje shtetit të Kosovës që të integrohet në mekanizma, organizata të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Tahiri.
Marrëveshja për fusnotën, ishte arritur më 24 shkurt të vitit 2012 në Bruksel në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ajo nënkupton pozicionin e palëve karshi statusit të Kosovës, përkatësisht pozicionin e Serbisë në përputhje me Rezolutën 12 44 dhe pozicionin e Kosovës që mbështetet në opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...