Kanë kaluar 12 ditë të hapjes së fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale në vend. E për këto ditë jemi duke parë akuza e kundër akuza nga më të ndryshmet në mes subjekteve politike.
Analistët këto shohin si të zakonshme pasi që jemi në kohë zgjedhjesh, duke shtuar se Kosova është lodhur nga zgjedhjet e njëpasnjëshme.
Analisti politik Adrian Çollaku thotë për arbresh.info se akuzat dhe kundër akuzat në mes partive politike do të vazhdojnë, mirëpo jo në atë masë sa të eskalojë situata. Sipas tij, pavarësisht këtyre për këto ditë fushate kjo e fundit ka qenë e qetë.
“Deri tash natyrisht që ka qenë një fushatë e qetë dhe kryesisht nëse e krahasojmë me zgjedhjet e kaluara ideja është që edhe premtimet kanë qenë do të thotë modeste nëse mund ta quajmë sepse në të kaluarën e dimë që qindra miliona premtoheshin për komuna të ndryshme ndërkaq tani janë kthyer prapë në kanalizime do të thotë në sigurimin e ujit për komuna të ndryshme e tjerë, e tjerë”, ka thënë ai.
Sipas Çollakut, në këtë fushatë nuk po shihen premtime megalomane siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.
Kurse sa i përket asaj se cili nga subjektet politike po i përmbahet rregullave të fushatës kur kemi parë edhe disa ankesa ai ka thënë se të gjitha partitë politike kanë bërë ngapak shkelje.
“Ne pamë disa dënime që iu kishin dhënë partive politike, të gjitha kishin ngapak shkelje mirëpo shpresoj që do të thotë se ky vendim t’u shërbejë partive që të jenë më të kujdesshme gjatë ditëve në vijim sepse kemi edhe rreth tri javë fushatë elektorale dhe kësisoj partitë natyrisht që nuk i përmbahen dhe do të ndëshkohen”, ka pohuar Çollaku, transmeton arbresh.info.
Ndërsa, analisti tjetër Bajrush Morina thekson se duke parë gjendjen aktuale politikanët siç thotë ai e kanë “gojën plotë”, atëherë fillojnë akuzat dhe kundër akuzat mes tyre.
“Kosova është e lodhur nga zgjedhjet e herëpashershme, ndërkaq politikanët janë të harxhuar nga premtimet zgjedhore. Në një situatë të tillë, ku populli është i lodhur dhe i pa interesuar për premtime boshe dhe kur politikanët i kanë duart thatë e “gojën plotë” atëherë fillojnë akuzat dhe kundër akuzat mes kandidatëve edhe liderëve të partive politike. Kjo e bën fushatën të pakuptimtë dhe tepër jo serioze. Prandaj humoristët e politikës nuk mund të bëjnë zgjedhjet serioze”, ka thënë Morina.
Analisti Morina, deklaron se nga ajo që kemi parë deri më tani Vetëvendosje është partia më e ashpër në këtë fushatë.
“Parimisht të gjitha janë nga pak të nervozuara por me sa po shoh e dëgjoj PDK është partia më e nervozuar dhe Vetëvendosje partia më e ashpërsuar. Të tjerat janë kryesisht në suazat e një fushate normale. LDK po kërkon një formë të re të opozitarizmit, jo si Vetëvendosje, Nisma po duket te jetë modeste, ndërkaq Haradinaj po flet për kufirin në Çakorr në vend se të premtoj kanalizime e ujë të pijshëm. Të gjithë janë “qafëshkurtër” dhe shpirtngushtë por kandidatë te PDK-së janë më gjaknxehtë e ata të Vetëvendosjes më revolucionarë”, shtoi më tej ai.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 22 tetor të këtij viti ka filluar më 21 shtator.
Në zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës kanë kandiduar 7360 kandidatë që do të garojnë brenda 91 subjekteve politike, mes tyre vetëm një koalicion, 35 parti politike, 30 nisma të qytetarëve dhe 25 kandidatë të pavarur (për kryetar komune apo për kuvende komunale në komuna të ndryshme)./arbresh.info/
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...